“Fishkëllimat ndaj Granit Xhakës janë turpi më i madh që mund t’i ndodhë futbollit tonë” – reagimi i fuqishëm i Perparim Gashit

Perparim Gashi ka reaguar ashpër pas fishkëllimave të hedhura ndaj Granit Xhakës në ndeshjen Kosovë–Zvicër, duke e quajtur këtë akt një plagë të rëndë për identitetin dhe kulturën sportive të vendit. “Me fishkëllue Granit Xhakën në Kosovë është si me i kthye shpinën vetes. Është poshtërim i vlerave që na mbajnë gjallë si komb,” shkruan Perparim Gashi.

Ai thekson se Xhaka është shumë më shumë se një kapiten. “Granit Xhaka është simbol i krenarisë sonë. Ai është djaloshi që ngriti flamurin shqiptar në sytë e botës, që foli për Kosovën kur askush s’guxonte, që kurrë nuk e mohoi rrënjën e tij. Ai luajti me zemër dhe na bëri të ndihemi shqiptarë kudo që jemi.”

“Granit Xhaka është vlerë e madhe kombëtare. Kush e fishkëllon, e fishkëllon historinë tonë. Kush e nderon, nderon vetveten. Zemra e tij rreh shqip, shpirtin e ka kosovar – dhe këtë askush s’mund t’ia marrë.”

Në përfundim, Perparim Gashi jep mesazhin e tij të prerë: “Një Xhakë nuk lind çdo ditë. Dhe kur e kemi një të tillë, duhet ta ngremë lart, jo ta lëndojmë. Graniti është drita jonë në futbollin botëror – dhe drita nuk fishkëllohet, drita respektohet.”/Kosova.info/

Go to TOP