Firmoset marrëveshja për sigurinë kibernetike midis Shqipërisë dhe Italisë
Një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së përbashkët digjitale u hodh me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) të Shqipërisë, Igli Tafa, dhe homologut të tij italian, Bruno Frattasi, drejtor i Agjencisë Italiane për Sigurinë Kibernetike.
Kjo marrëveshje strategjike synon të forcojë bashkëpunimin në fusha kyçe, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet kibernetike, ndarjen e praktikave më të mira dhe forcimin e kapaciteteve teknologjike, duke përfituar nga ekspertiza dhe përvojat e të dyja vendeve. Ajo gjithashtu përfshin parandalimin dhe menaxhimin e incidenteve kibernetike, për të minimizuar rrezikun nga kërcënimet gjithnjë në rritje, si dhe zhvillimin e projekteve strategjike të përbashkëta, për të mbështetur qëndrueshmërinë e infrastrukturave kritike në rajonin adriatik.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, z. Igli Tafa, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke deklaruar se ky bashkëpunim do të kontribuojë në ndarjen e përvojave dhe kërcënimeve kibernetike, të cilat tashmë janë pa shtetësi.
“Sot është një ditë e rëndësishme për vendin tonë, pasi arritëm të nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me shtetin italian për përmirësimin e hapësirës kibernetike të të dy vendeve. Ky bashkëpunim do të kontribuojë në ndarjen e përvojave dhe të kërcënimeve kibernetike, të cilat tashmë janë pa shtetësi. Ndihma e përbashkët midis Italisë dhe Shqipërisë pritet të sjellë përmirësime të ndjeshme në sigurinë kibernetike të të dyja vendeve”, tha Tafa.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap thelbësor në rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturave digjitale të Shqipërisë dhe Italisë, duke konsoliduar marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe krijuar një front të përbashkët përballë sfidave kibernetike globale.