Fillon `Java e Vetëdijesimit për Kancerin e Qafës së Mitrës`

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka filluar `Java e Vetëdijesimit për Kancerin e Qafës së Mitrës`, e cila synon rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për këtë sëmundje, me theks të veçantë në parandalimin, zbulimin e hershëm, diagnostikimin dhe trajtimin në kohë.

“Kanceri i qafës së mitrës është një tumor malinj që zhvillohet në cerviks dhe konsiderohet një nga format më të shpeshta të kancerit tek gratë në nivel global. Shkaktari kryesor i kësaj sëmundjeje është infeksioni me virusin Human Papillomavirus (HPV), ndërsa faktorët e rrezikut lidhen kryesisht me infeksione seksualisht të transmetueshme të pa trajtuara dhe infeksione të vazhdueshme me tipe të caktuara të HPV-së.

Sipas të dhënave globale, gjatë vitit 2022 janë regjistruar rreth 660 mijë raste të reja dhe rreth 350 mijë vdekje nga kanceri i qafës së mitrës”, thuhet në njoftim .

MSH  njofton se  në Kosovë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 140 raste, që përbëjnë rreth 3 për qind të të gjitha rasteve të kancerit.

Ministria e Shëndetësisë thotë se  ka rritur ndjeshëm investimet në parandalim, duke pesëfishuar buxhetin për vaksina dhe duke përfshirë vaksinën kundër HPV-së në kalendarin e rregullt të imunizimit. Programi i vaksinimit po zbatohet për vajzat dhe djemtë 12-vjeçarë, me një mbulim prej rreth 85 për qind të grupit të synuar.

Po ashtu, është hartuar Plani i Veprimit për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës 2026–2028, në përputhje me objektivat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ministria u bën thirrje grave që të kryejnë rregullisht PAP testin, si një ndër mënyrat më efektive për zbulimin e hershëm dhe uljen e vdekshmërisë.

“Skriningu i rregullt me PAP test mbetet një ndër mjetet më efektive për zbulimin e hershëm të ndryshimeve para-kanceroze dhe për uljen e ndjeshme të vdekshmërisë. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjitha grave që të shfrytëzojnë shërbimet parandaluese dhe të kujdesen në mënyrë aktive për shëndetin e tyre”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/


Go to TOP