Fetai takon Gërvallën pas ngjarjes në Shkup: Po kryhen hetimet e nevojshme
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka njoftuar se ka qenë sot në Prishtinë ku ka takuar Ministren e MPJD-së Donika Gërvalla, me të cilën ka folur lidhur me incidentin e së enjtes në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja Vjosa Osmani.
Fetai në një postim në Facebook ka thënë se institucionet e Maqedonisë së Veriut po kryejnë hetimet e nevojshme dhe se për shkeljet që do të konstatohen do të merret përgjegjësi.
“E informova Ministren Gërvalla se institucionet tona janë duke i kryer hetimet e nevojshme dhe se do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje që do të mund të konstatohet nga incizimet e kamerave të aeroportit. I dëgjova shqetësimet e Ministres, e cila më njoftoi se sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës ka patur në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve nga ana e personelit të sigurisë të angazhuar nga kompania në fjalë”, ka shkruar Arben Fetai.
Ai tutje thekson se bashkë me Gërvallën janë pajtuar se raportet ndërshtetërore në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe se do të angazhohen për t’i thelluar ato edhe më tej, mbi bazën e partneritetit, si shtete aleate që ndajnë vlera të përbashkëta dhe janë të lidhura ngushtë në çdo rrafsh. /Kosova.info/