Feronikeli 74 merr një pikë kundër Ballkanit, Drita feston në Prizren

Feronikeli 74 ka arritur të arkëtojë një pikë të rëndësishme si mysafir i kampionit në fuqi, Ballkanit në kuadër të javës së 20-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra e drejtuar tashmë nga ish-futbollisti i njohur Shefki Kuqi, ka barazuar 2:2 në Suharekë, madje pas pjesës së parë ishte në epërsi. Granit Musa në minutën e 16-të shënoi për epërsinë e Feronikelit 74.

Rezultatin e barazoi Walid Hamidi, në minutën e 30-të. Epërsinë e ‘Niklit’ e ktheu Alban Shillova, në minutën e katërt shtesë të pjesës së parë.

Mirëpo, pesë minuta pasi nisi pjesa e dytë portokallezinjtë barazuan shifrat me golin e Vesel Limajt.

Pavarësisht barazimit Ballkani mbetet në pozitën e parë me 44 pikë, derisa Feronikeli 74 është në pozitën e shtatë, me 22 pikë.

Fitore si mysafire ka realizuar Drita, që e ka mposhtur Lirinë, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në këtë takim e realizoi Blerim Krasniqi, në minutën e 52-të.

Ndërkohë, ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës është mbyllur pa fitues, me shifrat 1:1.

Për Gjilanin në minutën e 51-të realizoi sulmuesi Senad Jaroviq, ndërsa prishtinasit shënuan nëpërmjet Ardian Limanit në minutën e 83-të.

Prishtina është në vendin e katërt me 30 pikë, ndërsa Gjilani vazhdon luftën për mbijetesë, me 20 pikë, në pozitën e tetë.

Go to TOP