Fermerët i reagojnë Adriana Matoshit: Tërhiqe fjalën “langareca”, po fyen njerëzit që jetojnë nga djersa e tyre
Fermerët kosovarë të qumështit kanë reaguar ndaj deklaratave të deputetes Adriana Matoshi duke kërkuar që ajo të tërheqë fjalën “langareca”, me të cilën, sipas tyre, i ka etiketuar pjesëmarrësit në protestën e djeshme.
Në reagimin e publikuar, fermerët thonë se deri më tani kanë zgjedhur të mos u përgjigjen akuzave të drejtuara ndaj tyre, por theksojnë se nuk mund të qëndrojnë duarkryq përballë një gjuhe të tillë.
“Ne si fermerë kemi vendosur të mos i përgjigjemi askujt në lidhje me akuzat që po na bëhen, mirëpo nuk po mund të rrimë duarkryq përballë akuzave të deputetes Adriana Matoshi, e cila po i quan ‘langareca’ ata fermerë që protestuan dje. Kjo gjuhë nuk i takon askujt, e aq më pak një deputeteje si përfaqësuese në Kuvend”, thuhet në reagim.
Fermerët i bëjnë thirrje publike Matoshit që ta tërheqë këtë deklaratë duke theksuar se me këto etiketime po cenohet dinjiteti i familjeve që jetojnë nga puna në bujqësi.
Po ashtu, ata e kanë ftuar deputeten që të vizitojë secilin fermer pjesëmarrës në protestë, nëse ka dyshime për identitetin e tyre.
“Ne e ftojmë publikisht që ta caktojë secilën fytyrë nga ajo protestë, nëse dyshon se nuk është fermer, dhe ta vizitojë secilin prej tyre për ta parë nga afër aktivitetin e tyre”, thuhet në reagim. /Kosova.info/
