Gjini: Të hiqet Testi i Arritshmërisë, streson nxënësit dhe s’ka rezultate reale
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kërkuar heqjen e Testit të Arritshmërisë, duke vlerësuar se ai ka dështuar ta përmbushë qëllimin për të cilin është krijuar dhe se nuk jep një pasqyrë reale të cilësisë së arsimit në vend.
Përmes profilit zyrtar në Facebook, Gjini tha se Testi i Arritshmërisë është konceptuar si një instrument për të matur performancën e sistemit arsimor, e jo për t’i testuar individualisht nxënësit.
Sipas tij, mënyra se si zhvillohet testi prej vitesh vetëm sa rrit presionin mbi nxënësit dhe prindërit, duke krijuar një situatë të padrejtë mes atyre që i nënshtrohen rregullave dhe atyre që arrijnë rezultate përmes kopjimit.
“Testi është duke dështuar tash e sa vite, sepse është mekanizëm që streson fëmijët dhe prindërit, i streson ata nxënës që dinë e nuk kopjojnë, ndërsa në të njëjtën kohë i faktorizon ata që nuk dinë dhe kopjojnë”, është shprehur Gjini.
Ai ka theksuar se testi nuk prodhon rezultate reale për nivelin e dijes dhe cilësinë e arsimit, por krijon statistika të rreme.
“Ky test është falsifikim i plotë”, ka deklaruar ai.
Gjini ka përmendur edhe rezultatet e këtij viti, duke theksuar se shkalla e arritshmërisë ka rënë në 48.35 për qind, çka sipas tij dëshmon edhe një herë se ky mekanizëm nuk po e përmbush funksionin e vet.
“Ky test duhet të hiqet krejt, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të mos përsëritet më, sepse nuk prodhon asnjë rezultat pozitiv”, ka përfunduar Gjini.
