Federica Mogherini pranon dështimin, kërkohet liberalizimi i vizave për Kosovën

Ish-shefja e diplomacisë evropiane e ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi, Federica Mogherini, ka pranuar dështimin e Unionit Evropian në raport me kosovarët.

“Do të thosha se këtu ka sigurt fustrime për liberalizmin e vizave. Gjithnjë do kujtoj ardhjen time atje bashkë me komisionarin për zgjerim atëbotë Avramopulos, që lajmëruam se vendimi për liberalizim është marrë. Por, sërish kishim mungesë të kryerjes së detyrave nga ana e Bashkimit Evropian”, tha Federica Mogherini.

Nga ana e saj presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se Brukseli zyrtar po vazhdon me mospërmbushjen e detyrave.

“Përkundër se i ka përmbushur të gjitha kërkesat tona kosovarëve akoma ju kërkohet viza për të hyrë në Bashkimin Evropian. Thirrjet e vazhdueshme të Parlamentit kanë hasur në veshë të shurdhër. Kjo qasje pos që është e pandershme, e dëmton kredibilitetin e BE-së dhe na bënë më të dobët”, shtoi kryetarja e Parlamentit.

Folëse në panelin që u mbajt në Bullgari ishte dhe ministrja e punëve të jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

“Liberalizimi duhet të ndodh menjëherë, sepse tani nuk ka më arsyetime. Kishim zgjedhjet në Francë dhe ne shpresojmë në përparim dhe se gjithë partnerët e aleatët tanë në BE do ndihmojnë për të ecur përpara. Por liberalizimi i vizave nuk është synimi evropian i Kosovës. Synimi evropian i Kosovës është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian dhe për këtë ne po punojmë”.

Gërvalla ka deklaruar se sivjet Kosova aplikon për të marrë vendin e kandidatit për në Union.

“Pastaj do ta shohim sa serioze është BE-ja në adresimin e fakteve dhe sfidave që Kosova i ka për t’i përmbushur për të hyrë në BE. Besoj se Unioni nuk ka nevojë të ketë luftë për të integruar një pjesë të Evropës brenda tij”, ka thënë ajo.

Folës në panelin e zhvilluar në  Bullgari ishte edhe komisionari për zgjerim Oliver Varhelyi që tha se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, është më e sigurt se kurrë më parë.

Kosova në aktivitetin që e transmetoi edhe Komisioni Evropian u paraqit me Republikë, teksa kujtojmë se i njëjti Komision nuk e njeh pavarësinë e shtetit kosovar.

Go to TOP