Fatos Geci, i bashkohet Partisë “Guxo”
Partia ““Guxo”” ka mirëpritur sot një anëtar të ri me profil të lartë akademik dhe familjarisht të lidhur me historinë e rezistencës së Kosovës – Fatos (Halil) Gecin nga Drenica. Ai i bashkohet kësaj partie si një ekonomist i formuar, me përvojë në sektorin financiar dhe me idealizëm të rrënjosur thellë në traditën familjare të patriotizmit dhe shtetndërtimit.
Fatos Geci është në përfundim të doktoratës në fushën e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe njëkohësisht përfitues i tri bursave ndërkombëtare për studime doktorale në Universitetin Côte d’Azur në Francë. Ai ka kontribuar profesionalisht për vite me radhë në fushën e analizës ekonomike, menaxhimit financiar dhe politikave zhvillimore.
Ai vjen nga familja tradicionale dhe fisnike e Bajraktarit të Llaushës – biri i vëllait të madh të Shtatë Vëllezërve Geci – një familje që ka lënë gjurmë të thella në historinë e rezistencës dhe luftës për liri. Kontributi i kësaj familjeje nis me rezistencën civile dhe vazhdon me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare, gjithmonë në përkrahje të institucioneve të dala nga Kushtetuta e Kaçanikut dhe në mbështetje të presidentit historik Ibrahim Rugova.
Fatos Geci zgjedh të ecë rrugën për Kosovën krah Partisë “Guxo” duke e cilësuar atë si trashëgimtaren e denjë dhe të vetme të filozofisë politike të Rugovës.
Partia “Guxo” i uron mirëseardhje Fatosit duke e cilësuar angazhimin e tij si një përforcim të rëndësishëm për vizionin zhvillimor dhe institucional të partisë. /Kosova.info/
