Familjarët e 26 vjeçarit që vdiq nga aksidenti në Prishtinë i falin gjakun familjes së shoferes

26 vjeçari Sh.H vdiq mesditën e së hënës në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, është varrosur sot.

Në ceremoninë e varrimit familja e të ndjerit i ka falur gjakun familjes së të dyshuarës që ka shkaktuar aksidentin.

Nga pamjet që janë publikuar familja Habibaj në prezencë të shehut i kanë falur gjakun familjes Kllokoqi-Berisha.

“Ky gjak familjes Kllokoqi-Berisha iu fal sot, mos me e çu më gat, e para se me falë xhenazen e djalit. Veç me ia bë hallall, pa ja jep dorën. Në prezencën e burrave këtë punë me ia lënë në dorë të Zotit, por jo na me u marrë me atë punë”, ka thënë shehu prezent.

Kujtojmë se Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka bërë të ditur se prokurori ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës.

Sipas kërkesës për paraburgim thuhet se e dyshuara duke drejtuar makinën në mënyrë të pakontrolluar, ka goditur shtyllën e semaforit dhe semafori pas rrëzimit e godet këmbësorin Sh.H, i cili si pasojë e lëndimeve vdes në vendin e ngjarjes.

Go to TOP