EuroPride në Beograd me prezencë të shtuar policore

Mbështetësit e komunitetit LGBT u mblodhën në Beograd më 17 shtator, pavarësisht se autoritetet serbe ndaluan mbajtjen e marshit të EuroPride.

Teksa nisi marshimi në Beograd, në rrugët e kryeqytetit serb u pa prezencë e shtuar e Policisë.

Para nisjes së marshit të EuroPride-it u raportua për disa incidente të vogla, pasi aktivistë të krahut të djathtë dhe të grupeve fetare po ashtu u mblodhën në Beograd për të kundërshtuar marshin.

Policia bllokoi trotuaret dhe rrugët nëpër të cilat organizatorët e marshit kishin planifikuar të mbanin marshin dhe po ashtu u ndalua kundër-protestat e paralajmëruar nga grupet pro-Kishës Ortodokse Serbe dhe grupeve të tjera.

Policia duke u përleshur me personat që kundërshtojnë mbajtjen e EuroPride. Beograd, 17 shtator 2022.
Policia duke u përleshur me personat që kundërshtojnë mbajtjen e EuroPride. Beograd, 17 shtator 2022.

Muajin e kaluar, presidenti populist serb, Aleksandar Vuçiq, sugjeroi se marshi i EuroPride-it nuk do të lejohej që të mbahej, por vendimi i fundit për këtë u mor nga Ministria e Brendshme.

Më 13 shtator, Ministria e Brendshme zyrtarisht njoftoi se nuk do të lejonte mbajtjen e Javës së EuroPride-it që kulmon me paradën në rrugët e Beogradit dhe tha se një vendim të njëjtë ka marrë edhe për protestat e paralajmëruara për 17 shtator.

Ministria serbe tha se deri te ky vendim erdhi për shkak të “rrezikut të dhunës, shkatërrimit të pronës dhe formave të tjera të prishjes së rendit publik në shkallë të gjerë”.

Më 15 shtator, një prej organizatorëve të ngjarjes, Marko Mihajloviq, tha për Radion Evropa e Lirë se grupi i tij kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën Administrative serbe kundër vendimit të Ministrisë së Brendshme.

Forca të shtuara të Policisë në Beograd.
Forca të shtuara të Policisë në Beograd.

“Pyetja është se a do të marshojmë në një distancë të shkurtër apo do të qëndrojmë me një vend, por ne do të dalim në rrugë. Është e rëndësishme që ne të dalim dhe zëri ynë të dëgjohet”, tha ai.

Pas njoftimit për ndalimin e marshit, aktivistët e komunitetit LGBT, akuzuan kryeministren serbe, Ana Bërnabiq – e cila është lezbike – se ajo ka braktisur komunitetin LGBT të Serbisë dhe kauzën e tyre.

Pavarësisht ndalesës, Bërnabiq u ka thënë pjesëmarrësve “se askush nuk mund t’iu ndalojë që të marshoni sepse kjo është e drejtë themelore”.

Më 17 shtator, Shoqata e organizatorëve të Paradës Evropiane tha se kishte marrë garanci nga Bërnabiq se “ajo mund të garantojë që rrugët e Beogradit do të jenë të sigurta”.

EuroPride promovon krenarinë e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve e transgjinorëve në nivelin panevropian, dhe që nga viti 1992 organizohet nga një qytet i ndryshëm evropian çdo vit.

Go to TOP