Erion Kameri mohon akuzat për manipulim votash: Ndalimi im ishte i pabazë dhe shkelje e rëndë e shtetit të së drejtës
Kryesuesi i Qendrës së Numërimit të Rezultateve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Erion Kameri, ka reaguar publikisht pas ndalimit të tij nga Prokuroria Themelore në Gjakovë duke e cilësuar këtë veprim si të pabazë, të padrejtë dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës.
Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, Kameri bën të ditur se ai, së bashku me 22 nga 24 kryesuesit e QNR-së nga zgjedhjet parlamentare të dhjetorit në Komunën e Gjakovës, është privuar nga liria jo për shkak të ndonjë veprimi të kundërligjshëm, por si rezultat i një veprimi procedural pa bazë faktike dhe pa prova konkrete.
Ai thekson se gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka vepruar me përgjegjësi të plotë institucionale dhe në përputhje të plotë me legjislacionin zgjedhor duke mohuar kategorikisht çdo pretendim për manipulim votash apo ndikim në vullnetin e qytetarëve.
Sipas Kamerit, mospërputhjet e evidentuara gjatë rinumërimit të votave janë çështje që kërkojnë hetim të thellë, profesional dhe të paanshëm, por ato nuk mund të shndërrohen automatikisht në përgjegjësi individuale pa prova të drejtpërdrejta dhe pa lidhje të qartë shkak-pasojë.
“Caktimi i masës së ndalimit, pa elemente thelbësore të veprës penale dhe pa rrethana që e justifikojnë një masë të tillë, nuk i shërben drejtësisë, por prodhon pasiguri juridike dhe normalizon abuzimin procedural”, ka deklaruar ai.
Kameri shprehet se e respekton ligjin dhe institucionet e drejtësisë, por nuk do të heshtë përballë veprimeve që, sipas tij, cenojnë dinjitetin personal, integritetin profesional dhe besimin e qytetarëve në drejtësi. Ai shton se është i pastër në ndërgjegje dhe i vendosur që pafajësinë ta dëshmojë përmes fakteve dhe argumenteve ligjore.
Në fund, Kameri vlerëson se raste të tilla duhet të dënohen fuqishëm, pasi cenojnë themelet e demokracisë dhe krijojnë precedent të rrezikshëm për qytetarët që shërbejnë ndershëm në proceset zgjedhore të Republikës së Kosovës. /Kosova.info/
