Erdogan shpreson se do të ndërmjetësojë armëpushimin
Për herë të parë prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë – më 24 shkurt – ministrat e Jashtëm të të dyja shteteve janë pajtuar për të negociuar të enjten në Turqi.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se shpreson që takimi në Antalia do “të hapë dyert për një armëpushim të përhershëm”.
Ende nuk dihet sa ka shanse për përparim në këto negociata, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se do të realizojë qëllimet e tij, qoftë përmes negociatave, apo veprimeve ushtarake.
Turqia është vend anëtar i NATO-s, mirëpo presidenti i saj ka tentuar të mbajë qëndrim ndryshe nga shtetet e Perëndimit, sa i përket pushtimit rus.
Ndonëse ai ka thënë se Turqia nuk e pranon atë që po ndodh me ukrainasit, sanksionet “janë kthyer në pothuajse gjueti shtrigash kundër popullit rus, literaturës, studentëve dhe artistëve”.
Ai ka veçuar Filarmoninë e Mynihut për shkarkimin e dirigjentit të njohur dhe mbështetësit të presidentit rus, Vladimir Putinit, Valery Gergiev, duke e quajtur këtë vendim si “qesharak”.
