Emisionet e televizioneve me analistë nuk vlejnë për t’u parë
OPINION / RAGIP MEXHUANI
Ka vite që në ekranet e televizioneve tona shfaqet i njëjti rreth. Të njëjtit analistë. Të njëjtit politikanë. Të njëjtat narracione të lodhura që populli i ka quajtur me ironi “analistë-banalistë”. Ata janë pjesë e të njëjtave struktura politike që për dy dekada e lanë Kosovën në gjendjen ku është sot.
Po e them hapur. Këto emisione kanë ndikuar keq, sepse i kanë shërbyer partive që e sunduan vendin për 20 vjet. Ata janë të lidhur me çdo qark të institucioneve: nga gjykatat e deri te sindikatat, nga bizneset te shoqëria civile, nga odat ekonomike te vetë televizionet. Prandaj sot Qeveria Kurti nuk po arrin ta çkapë shtetin, jo pse s’do, por sepse rrënjët e këtyre partive janë ngulur thellë.
Çdo mbrëmje, pothuaj pa përjashtim, nëpër studio shfaqen politikanët e vjetër—vetëm ose të shoqëruar me analistët e zakonshëm që asnjëherë s’kanë guxuar t’i kritikojnë për atë që ia bënë vendit.
Faktet janë të hidhura. Bujqësia u përgjysmua. Industria u shua. Fabrikat u shitën për asgjë. Toka bujqësore u betonizua derisa vendbanimet u bashkuan mes vete. Mbi gjysmë milioni qytetarë kanë ikur nga varfëria vetëm gjatë viteve 2000–2019. Ndërkohë, këto parti vazhdojnë t’i tregojnë popullit histori boshe për “çlirime”, “institucionalitet” e “kontribute historike”.
Asnjë prej gazetarëve që sot mbajnë emisione politike nuk i pyet pse gjatë dy dekadave të tyre u mbyllën 1.560 fabrika. Pse tokës bujqësore iu kthye shpinë. Pse arsimi ra kaq poshtë. Pse u toleruan ndërtime pa kriter. Pse në 60 raste refuzuan ta votojnë qeverinë Kurti dhe shkuan prapë në zgjedhje vetëm nga inati.
Në ekranet tona shihen edhe televizionet që hapur helmojnë debatin publik. Klan Kosova është vetëm një prej tyre. Pason Dukagjini. Shtata. Njëzet e njësha. Madje edhe RTK-ja. E njëjta frymë. E njëjta axhendë. E njëjta dëshirë që situata të kthehet prapa.
Në fund, qëllimi i tyre është i qartë. të rikthehen në pushtet në çfarëdo mënyre, edhe pa vota. Disa kërkuan poste me vetëm tre deputetë. Të tjerë deklaruan se “s’ka qeveri pa ta”. Disa u mburrën se e çliruan Kosovën, duke harruar NATO-n. Nga 10 mijë luftëtarë bënë 60 mijë veteranë, vetëm për vota. Dhe kur nuk arritën të ndalnin Albin Kurtin me debat, e provuan me arrestime, me dhunë politike, madje edhe në vetë Parlamentin.
Përballë gjithë kësaj, populli ka një të drejtë të thjeshtë. Të mos manipulohet më. Të mos helmohet me analiza bosh. Të mos i humbet orët e mbrëmjes duke dëgjuar të njëjtët njerëz që për 20 vjet ia prenë krahët këtij vendi.
Kjo është arsyeja pse sot, këto emisione nuk vlejnë më për t’u parë. Janë bërë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes.
