Elita e hendbollit rikthehet të enjten me tri sfida interesante

Superliga e Kosovës në hendboll, rikthehet të enjten me tri ndeshjet e xhiros së 27-të, xhiroja e parafundit të stinorit të rregullt, që ofron disa ndeshje interesante.

Lideri i klasifikimit, Rahoveci nga ora 19:00 takohet me Trepçën, duel ky që luhet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

Rahoveci udhëheq në tabelë me 50 pikë dhe ka siguruar shumë më herët pozitën e parë për play-off-in. Trepça është e katërta me 30 pikë dhe po ashtu ka siguruar play-off-in. Të dy skuadrat e shohin këtë ndeshje si mundësi për të testuar formën në prag të turneut final të Kupës së Kosovës në hendboll.

Prej orës 19:00 zhvillohet ndeshja mes Besa Famgasit dhe Prishtinës. Besa i ka 44 pikë dhe në play-off do të startojë prej pozitës së dytë. Prishtina është e pesta, pozitë në të cilën edhe do ta përfundojë këtë edicion garues.

Ndërkohë, Vëllaznimi dhe Kastrioti përballen nga ora 20:00 në Gjakovë.

Vëllaznimi është i shtati me tetë pikë, ndërsa Kastrioti i treti me 34 pikë. Trepça e Vëllaznimi kanë një ndeshje më pak të luajtur.

Go to TOP