Kurti takoi ekipin e FSK-së që fitoi medalje të argjendtë në “Cambrian Patrol 22”

Pasi fituan medaljen e argjendtë në një prej garave ushtarake më prestigjioze në botë “Cambrian Patrol 22”, ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, u prit në takim nga kryeministri Albin Kurti.

Në takimin e përbashkët me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kryeministri Kurti i përgëzoi për suksesin e arritur, në një garë kaq të fortë.

Ndërsa, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe toger Diar Statovci, e njoftuan Kurtin për performancën e jashtëzakonshme të pjesëtarëve të FSK-së gjatë stërvitjes 48-orëshe në Britani të Madhe, së bashku me 80 ekipe britanike dhe 27 ekipe të shteteve tjera ndërkombëtare, mes tyre edhe forca speciale.

U theksua se performanca në këtë garë është dëshmi shtesë për nivelin e lartë të përgatitjes profesionale të FSK-së, si dhe demonstrim i përkushtimit dhe standardeve të larta që ajo ka përmbushur.

Go to TOP