“ETIA”, etje për getoizim të mëtutjeshëm të Kosovës!

Shkruan: Florim ZEQA 

Paradoksalisht kushtet që BE-ja i ka vënë Kosovës për liberalizim të vizave nuk i ka vënë asnjë shteti për anëtarësim në këtë organizatë! Kusht pas kushti, premtim pas premtimi BE-ja e sotme apo Evropa plakë e së kaluarës e gjymtojë dhe e tkurri me territor Republikën e Kosovës nën premtimin për liberalizim të vizave dhe përsëri vizat nuk u hoqën për qytetarët e Kosovës!

Mosliberalizimi i vizave pasojë e servilitetit të klasës politike

Sa herë që flitet në Parlamentin Europian për liberalizimin e vizave, aq më tepër shtohet presioni ndaj Kosovës në dialogun e Brukselit.

Përderisa zyrtarët e Brukselit e shtojnë presionin ndaj qeveritarëve tonë për sundim të ligjit dhe efikasitet të sistemit të drejtësisë për luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar, të njëjtit e përligjin mosfunksionimin e ligjit nga serbët në veri të vendit.

Edhe përkundër plotësimit të çdo kushti të vënë nga BE-ja, Kosova mbeti e vetme e getoizuar në zemër të Ballkanit Perëndimor, si peng i dialogut të pabarabartë me shtetin serb dhe servilitetit të lidershipit aktual ndaj shteteve të BE-së dhe shtetit serb në veçanti!

Loja e dyfishtë e lidershipit tonë me dhënien e milionave për serbët në veri dhe sjellja e dyfishtë e BE-së ndaj Kosovës, respektivisht në raport me kushtet e vëna ndaj Kosovës, por jo edhe ndaj Serbisë, e dëshmon mbështetjen ndaj kësaj të fundit.

Shembull ta marrim, barazinë ligjore apo respektimin e ligjshmërisë edhe në pjesën veriore të vendit tonë, është pikërisht BE-ja që e përligj moszbatimin e marrëveshjeve për pagesën e energjisë elektrike në atë pjesë, duke mos ua vën asnjë kusht serbëve të veriut për zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë, gjegjësisht kompanisë “Elektrosever” në inkasimin e borxheve të serbëve të veriut ndaj KEDS-it.

“ETIA”, etje për getoizim të mëtutjeshëm të shqiptarëve të Kosovës

Në ndërkohë, kur nuk po ndodhë respektimi i marrëveshjes për energjinë elektrike nga ana e Serbisë, Kosovës i janë paraqitur kohë pas kohë kushte të reja për mos heqjen e vizave, siq ndodhi së fundmi me kushtin e Francës për funksionalizimin e sistemit të ETIA!

“ETIA” (Evaluation Technologique, Ingénierie et Applications) është një grup inxhinierik francez i specializuar në ekoteknologji: inovacion, pajisje dhe procese për trajtim të vazhdueshëm termik.

Shihet qartë se kushti i ri francez “ETIA” nuk është asgjë tjetër veçse një etje e re serbo-franceze për pengimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe jo vetëm!

Mirëpo në fakt, edhe pse nuk thuhet publikisht, shkaku apo arsyeja e vërtetë e mosliberalizimit nuk janë kushtet e paplotësuara, por mosplotësimi i kushteve të vëna nga Serbia në dialogun e Brukselit, e që në radhë të parë është pranimi nga Kosova i Asociacionit të Komunave Serbe (ASK) me kompetenca ekzekutive.

Këtu qëndron shkaku dhe arsyeja pse Kosovës nuk i hiqen vizat dhe i pamundësohet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. E kështu pra, shkak për mbi të gjitha shkaqet është dialogu me shtetin serb, përkatësisht krijimi i “Zajednicës” apo “zajebnicës” së shtetit të Kosovës nga Serbia!

Fshehja e papranueshme e së vërtetës për vizat

Mbajtja peng e liberalizimit të vizave për shtetasit kosovar dhe kushtëzimet e njëpasnjëshme nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, BE-së në veçanti, janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me dialogun Kosovë-Serbi dhe të ndikuara skajshmërish nga kjo e fundit! Mirëpo këtë të vërtetë nuk e kanë thënë as liderët paraprak shtetërorë dhe nuk po e thonë as këta aktual!

Arsyeja pse liderët aktualë shtetëror nuk e thonë të vërtetën e hidhur për mosliberalizimin e vizave, duhet trajtuar si mungesë guximi dhe shantazhi politik, ashtu siç duhet trajtuar dështimin e liderëve paraprak shtetëror që e pranuan Decentralizimin në këmbim të dhënies së territorit Malit të Zi!

Kushti i ri shtesë, prolongim i getoizimit të shqiptarëve të Kosovës

Udhërrëfyesi i ri shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën, nga Parlamenti Evropian, ishte vetëm një prolongim shtesë për mosdhënien e vizave për qytetarët e Kosovës dhe ishte një ndihmesë shtesë ndaj Serbisë dhe një grusht i rëndë ndaj shtetit të Kosovës.

Pas këtij prolongimi dhe kushteve të reja shtesë për të ashtuquajtur “ETIA”, politikanët kosovar duhet t’i lënë anash dallimet partiake dhe pikëpamjet ideologjike në kundërshtim të këtij kushti të paarsyeshëm qëllimkeq ndaj shtetit të Kosovës.

Ky është momenti më sprovues për unitetin veprues dhe kundërshtues nga i gjithë spektri politik i Kosovës pa dallim pozitë dhe opozitë, për të dal me kërkesa për liberalizim të menjëhershëm të vizave për qytetarët, në të kundërtën, duhet t’u përgjigjemi me bojkot përfaqësive diplomatike në vendin tonë.

Nëse nuk mund të bëjmë asgjë tjetër, të paktën, të mos bëhemi puthador i atyre që haptas po e mbështesin Serbinë në aspiratat e saj hegjemoniste dhe po na mbajnë të ngujuar si zogjtë në kafaz! Duam liri të plotë, jo të pjesshme dhe as selektive!

Go to TOP