Edu largohet nga Arsenal

Arsenal ka konfirmuar zyrtarisht largimin e drejtorit sportiv Edu Gaspar, i cili ka vendosur të ndërpresë rrugëtimin e tij me klubin londinez për t’u përfshirë në një projekt të ri.

Braziliani do të punojë nën drejtimin e pronarit të Nottingham Forest, Evangelos Marinakis, duke shërbyer si drejtor për rrjetin e klubeve të biznesmenit grek, që aktualisht përfshin Olympiacos, Rio Ave dhe Nottingham Forest.

“Ka qenë një udhëtim i veçantë. Kam dashur të punoj me kolegë të shkëlqyer në ekipet e meshkujve, femrave dhe të rinjve, veçanërisht me Mikel Arteta, i cili është bërë një mik i madh. Tani është koha të kërkoj një sfidë të re. Arsenali do të mbetet gjithmonë në zemrën time”, është shprehur Edu.

Edu, ish-lojtar i Arsenalit dhe pjesë e skuadrës së famshme “Invincibles” të Arsene Wenger, ishte kthyer te klubi në vitin 2019 si drejtor teknik, ndërsa nga viti 2022 ishte përgjegjës për ekipet e meshkujve, femrave dhe të rinjve. Së bashku me trajnerin Mikel Arteta, Edu ka luajtur një rol kyç në riorganizimin e klubit dhe rikthimin e tij në garën për titullin e Premier League.

Go to TOP