EC Ma Ndryshe kritikon mungesën e transparencës në ndarjen e subvencioneve nga Komuna e Prizrenit

Organizata “EC Ma Ndryshe” ka ngritur sërish shqetësime për mungesën e transparencës në procesin e ndarjes së subvencioneve për organizatat joqeveritare nga Komuna e Prizrenit, duke theksuar se kjo praktikë e cunguar po vazhdon edhe gjatë vitit 2025.

Sipas kësaj organizate, Drejtoria për Kulturë, për Rini dhe për Sport (DKRS) ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve, ndërsa Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik (DTZHE) ka bërë publike vetëm listën preliminare. Të dyja listat përmbajnë thjesht emrat e organizatave dhe titujt e projekteve, pa informacione shtesë që do të garantonin transparencë të plotë.

EC Ma Ndryshe kërkon që këto lista të shoqërohen me të dhëna thelbësore si: kriteret e vlerësimit, emrat e anëtarëve të komisioneve, shumat e aplikuara dhe ato të aprovuara, si dhe përshkrime të projekteve dhe objektivave të tyre.

“Publikimi i këtyre informatave do të përbënte një shembull të qeverisjes transparente dhe llogaridhënëse. Transparenca është jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një zotim publik i vetë komunës,” thuhet në reagimin e organizatës.

Sipas EC-së, publikimi i pjesshëm i të dhënave jo vetëm që bie ndesh me parimet e legjislacionit në fuqi, por edhe rrezikon të minojë besimin e qytetarëve në institucionet publike.

Organizata u bën thirrje të dyja drejtorive komunale dhe Komunës së Prizrenit që të përmirësojnë menjëherë praktikat e tyre, duke siguruar transparencë të plotë në të gjitha fazat e ndarjes së subvencioneve për organizatat joqeveritare. /Kosova.info/


Go to TOP