E therë me thikë një qytetar, arrestohet 17 vjeçari në Ferizaj

Një qytetar i moshës 20 vjeç është plagosur të premten mbrëma në Ferizaj nga një 17 vjeçar, i cili ishte larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes. I plagosuri është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësorë është transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Policia rajonale në Ferizaj thotë se ka arrestuar në mbrëmje 17 vjeçarin, pasi dyshohet se në udhëkryqin e rrugëve “Ramadan Rexhepi & Uran Tinova” në Ferizaj ka plagosur një qytetarë tjetër.

“Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë mësuar se një person me një armë të ftohtë ( thikë) ka lënduar rëndë një person tjetër mashkull, të moshës 20 vjeçar dhe është larguar në drejtim të panjohur. Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga njësi të tjera kanë identifikuar të dyshuarin E.C i moshës 17 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren, në orën 19:30 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj për procedura tjera hetimore”, njofton policia.

Gjithashtu në vendin e ngjarjes thuhet se kanë dalë hetuesit dhe krim teknikët rajonal, të cilët janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka vendosur për ndalimin e të dyshuarit për 24 orë. /Kosova.info/

Go to TOP