E konfirmon sindikalisti Sefaj, pagat kanë dalë për grevistët tjerë, vetëm për mësuesit jo

Qeveria e Kosovës nuk ka ekzekutuar pagat e shtatorit për mësimdhënësit për shkak të grevës, por një gjë të tillë nuk ka ndodhur edhe për punonjësit që ishin pjesë e grevës në sektorin publik.

Ali Sefaj, pjesë e Këshillit grevist, ka konfirmuar për KosovaPress se shërbyesve civilë të cilët kanë qenë në grevë sot u kanë dalë pagat e tyre, pavarësisht se Qeveria kishte thënë se pagat do t’iu dalin vetëm atyre që kanë qenë në punë.

Ai ka thënë se mos ekzekutimi i pagave vetëm për mësimdhënësit grevistë shihet si një tendencë për persekutim të tyre dhe duket sikur Qeverisë Kurti i ka konvenuar greva.

Ndërsa, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës kanë pritur që pagat të dalin sot gjatë ditës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KosovaPress se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët që kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

Kujtojmë, kritika ndaj qeverisë për mos ekzekutimin e pagave për grevistët në arsim sot ka pasur nga subjektet politike opozitare.

Go to TOP