E çuditshme në Ferizaj: Burrë e grua inskenojnë një përleshje me thika, lajmërojnë rrejshëm policinë
Një burrë dhe një grua janë arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për deklarim të rremë. Sipas Policisë së Kosovës, një grua 21-vjeçare me shtetësi të huaj dhe një burrë 29-vjeçar kanë inskenuar një përleshje. Në shtëpinë e tyre janë gjetur thika dhe gjurmë gjaku.
Njoftimi i Policisë:
Më 29.10.2024, rreth orës 23:00, stacioni policor në Ferizaj pranoi një informatë nga Qendra Emergjente në Ferizaj për një grua 21-vjeçare, shtetase e huaj që po trajtohej aty. Policia menjëherë shkoi në qendër, ku u raportua se gruaja dyshohej të ishte sulmuar nga një person tjetër me një mjet të mprehtë në rrugën “Tahir Sinani” dhe se sulmuesi ishte larguar në drejtim të panjohur.
Njësia e Hetimeve u angazhua në rast nën autorizimin e prokurorit të shtetit dhe intervistoi bashkëshortin e saj, një 29-vjeçar kosovar, i cili fillimisht konfirmoi versionin e sulmit nga një person tjetër. Rasti u klasifikua fillimisht si “Lëndim i lehtë trupor.”
Gjatë hetimeve dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes, nuk u gjetën prova që mbështesnin raportimin fillestar. Hetuesit vizituan shtëpinë e çiftit dhe gjetën gjurmë gjaku dhe mjete të mprehta, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë një përleshje mes tyre. I dyshuari, E.B., që kishte po ashtu lëndime trupore, pranoi se ai dhe bashkëshortja kishin inskenuar rastin dhe kishin bërë deklarime të rreme.
Pas marrjes së tretmanit mjekësor të nevojshëm, të dyshuarit u shoqëruan në stacionin policor në Ferizaj. Me vendim të prokurorit, rasti u ricilësua si “Lëndim i lehtë trupor”, “Dhunë në familje” dhe “Deklarim i rremë,” ndërsa të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore.