E ardhmja e karikimit të makinave elektrike

Shteti i Indianës po teston një segment rrugor të ndërtuar posaçërisht për të karikuar bateritë e makinave elektrike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Frabaugh, ishte në qytetin Lafayette për të parë nga afër se si kjo teknologji po e transformon mënyrën e karikimit të automjeteve elektrike.

Inxhinierët shpresojnë se segmenti prej 400 metrash në autostradën 52 pranë qytetit Lafayette të Indianës, do të jetë pikënisja që do ta transformojë të ardhmen e karikimit të makinave elektrike.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Aaron Brovont, inxhinier elektrik me Universitetin Perdue.

“Po instalojmë një prototip të sistemit dinamik të transferimit të energjisë pa tela. Me fjalë të tjera karikimin nga distanca”.

Inxhinieri shpjegon se kjo teknologji që po zhvillon ekipi nga Universiteti Perdu është sikurse karikimi pa tel i telefonit.

“Në thelb është e njëjta ide”, thotë inxhinieri, por në një shkallë shumë më të madhe.

Sistemi i kabllove të instaluara në autostradën 52 synon të karikojë bateritë e automjeteve ndërsa ato udhëtojnë drejt destinacionit të tyre.

“Synimi afatgjatë është për autostrada të elektrifikuara që mbajnë të karikuara plotësisht bateritë e kamionëve të tonazhit të lartë ndërsa udhëtojnë”, thotë inxhinieri Aaron Brovont.

“Për momentin po vendosim pajisjet e karikimit në korridoret me trafik të lartë kamionësh”.

Profesori i inxhinierisë civile, John Haddock, projektoi dhe testoi në një objekt të Universitetit Perdue bobinat e karikimit që vihen nën asfalt.

Ai thotë se industria e kamionëve të transportit duhet t’i përshtatet kësaj teknologjie në mënyrë që të përballohet kostoja e lartë e zbatimit në shkallë të gjerë. Por industria ka nevojë për prova se kjo teknologji funksionin përpara se të shqyrtojë kalimin tek flota e kamionëve elektrikë.

“Industria e kamionëve duhet ta përqafojë këtë teknologji sepse vetëm karikimi i makinave të zakonshme elektrike nuk do të mjaftojë për financimin e saj. Personalisht, nga kontaktet me ta, kjo industri është gatshme sapo të ofrojmë një produkt tek i cili kanë besim”, thotë profesori Haddock.

Inxhinieri thotë se nëse këto prova arrijnë të bindin industrinë dhe kjo teknologji zbatohet në të gjithë vendin, kjo do të ndryshojë mënyrën e karikimit të makinave elektrike.

“Nëse kjo teknologji do ishte e përhapur kudo, makinat elektrike nuk do të kishin nevojë për bateri shumë të mëdha. Do të ulej çmimi i makinave elektrike pasi ndikohet shumë nga kostoja e lartë e baterive”, thotë zoti Haddock.

“Shumë njerëz e quajnë ‘fantashkencë’ që po bëhet realitet”

Blake Dollier me Departamentin e Transportit të Indianës thotë se ndjehet krenar për përfshirjen në provën e parë të këtij lloji në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se shpreson se shoferët të mos kenë më shqetësime për karikimin e baterisë.

“Suksesi i kësaj teknologjie do të ulte ankthin e shoferit lidhur me distancën që përshkon një makinë elektrike. Shpresojmë që kjo të arrihet”, thotë Blake Dollier me Departamentin e Transportit të Indianës.

“Është arritje e madhe sepse nuk është bërë më parë, të paktën në këtë shkallë”, thotë profesori Haddock.

Inxhinieri Haddock beson se kjo teknologji, jo vetëm që mund ta ndryshojë mënyrën e ngarjes së makinës, por edhe se kush e drejton atë, çka do të përshpejtonte zhvillimin e teknologjisë së automjeteve autonome.

“Ka aftësitë të jetë një teknologji transformuese. Mund të ndryshojë mënyrën se si udhëtojmë”, thotë inxhinieri Haddock.

Ekipi shpreson që në vitin 2025 të fillojë testimin e automjeteve në rrugë.

Go to TOP