Dymbëdhjetë raste të dhunës në familje, njëmbëdhjetë nga viktimat janë gra

Dymbëdhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar nga Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, njëmbëdhjetë prej të cilave viktima janë gratë.

Pesë raste janë regjistruar vetëm në rajonin e Prishtinës, ku viktimat kanë pranuar edhe tretman mjekësor, ndërsa në tri raste të dyshuarit janë dërguar në mbajtje e dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Kamenicë, është arrestuar i dyshuari  i cili pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare, e cila ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta së bashku me fëmijët e saj është dërguar te familja e saj, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Istog u arrestua i dyshuari mashkull kosovar i cili në vazhdimësi i shkaktonte dhunë psikike ankueses femër kosovare. Pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktima me dëshirën e saj është kthyer te familjarët e saj.

Tutje, sipas raportit të policisë, në dy raste të ndara në Pejë njëri e kishte sulmuar fizikisht ankuesen femër, por e cila nuk kishte pranuar tretman mjekësor, e tjetri iu kishte shkaktuar dhunë psikike ankuesit mashkull kosovar dhe fëmijëve të tij, e që të dy pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Por, në mbajtje u dërgua i dyshuari në Istog i cili nën ndikim të alkoolit i kishte shkaktuar dhunë psikike viktimës femër kosovare, e cila ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta ka kërkuar urdhër mbrojtës.

Në Rahovec është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje  e ka sulmuar fizikisht ankuesen femër kosovare dhe vajzën e tyre. Viktima është dërguar në strehimore ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, në Gjakovë viktima femër kosovare ka pranuar tretman mjekësor pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.


Go to TOP