Dushi falënderon qytetarët e Qytetit të Vjetër për besimin te LDK-ja
Florian Dushi, kryetar i degës së dytë të LDK-së dhe nënkryetar i Komunës së Prishtinës, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve, veçanërisht të Qytetit të Vjetër, për mbështetjen në zgjedhjet e fundit.
Në një mesazh të hapur, Dushi theksoi se kjo fitore nuk është vetëm rezultat zgjedhor, por edhe një mesazh i qartë se përkushtimi, serioziteti dhe përgjegjësia e qytetarëve që punojnë për Prishtinën kanë më shumë vlerë se çdo slogan apo emër i përkohshëm.
Ai falënderoi Kryesinë e degës së dytë, aktivistët, veprimtarët, shtabin zgjedhor, vëzhguesit dhe kandidatët për Asamble Komunale për përfaqësimin e vlerave dhe qëndrueshmërisë së LDK-së në çdo lagje dhe vendvotim.
Dushi njoftoi gjithashtu se do të kërkojë një analizë të plotë të fushatës për të identifikuar mundësitë për përmirësim dhe forcim të degës së dytë, me qëllim që çdo fitore e ardhshme të jetë edhe më e madhe dhe e qëndrueshme.
Ai përfundoi duke theksuar se dega e dytë e LDK-së mbetet garancia e stabilitetit politik dhe elektoral në Prishtinë duke përfaqësuar zërin e qytetarisë, maturisë dhe përgjegjësisë. /Kosova.info/
