Durmishi: Filloi betonimi i dy urave të reja në veri të Mitrovicës

Hysen Durmishi, zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, i Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës, ka njoftuar se ka nisur faza e betonimit për dy ura të reja mbi lumin Ibër në veri të Mitrovicës.

“Filluam me betonimin e pilotave. Në vjeshtë edhe dy ura mbi Ibër”, ka shkruar Durmishi në “Facebook” duke bërë me dije për përparimin e projektit që synon përmirësimin e infrastrukturës ndërlidhëse në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

Ndërtimi i këtyre urave vjen si rezultat i një Memorandumi Bashkëpunimi të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së Jugut dhe Veriut.

Gurthemeli për këto ura u vendos vetëm disa ditë më parë, dhe pritet që ndërtimi i tyre të përfundojë në vjeshtë, duke shtuar kështu dy ura të reja në lumin Ibër dhe duke lehtësuar qarkullimin dhe ndërlidhjen urbane në këtë zonë të ndjeshme. /Kosova.info/


Go to TOP