Dugolli: Derisa Serbia nuk distancohet, ajo është e involvuar në sulmet ndaj policisë në veri

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që është edhe zëvendëskryetar i parë i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Enver Dugolli thotë se Serbia nuk ka ndryshuar aspak qëndrimin armiqësor ndaj Kosovës.

“Pas agresionit rus në Ukrainë, qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës ka marrë një dimension tjetër. Të gjithë e dënuan agresionin rus ndaj Ukrainës, derisa Serbia është ndër të paktat shtete në botë që ende nuk vendosin sanksione ndaj Rusisë”, tha ai .

Dugolli thotë se nuk ka asgjë të re në lidhje me ndikimin e Serbisë te strukturat kriminale që veprojnë në veri të Kosovës.

“Serbia i kontrollon dhe suporton strukturat paralele në veri të Kosovës. Serbia madje ka bashkëpunim me persona si Veselinoviqi e Radojçiqi që kanë rekorde kriminale. Ajo e di saktë se ku gjenden këta persona. Derisa Serbia ende nuk është distancuar nga këto sulme ndaj Policisë së Kosovës, ajo në një mënyrë apo tjetër është e involvuar në sulmet ndaj policisë”, deklaroi deputeti i shumicës.

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Çështje të Sigurisë, thotë se Qeveria e Kosovës ka ngushtuar rrugët e kontrabandës në veriun e Kosovës duke shënuar sukses në këtë drejtim.

Dugolli ka bërë lëvdata për ministrin e  Brendshëm, Xhelal Sveçla për drejtimin e MPB-së.

“Sa herë bëhen aksione në veri, Sveçla nuk bën sehir sikurse ministrat paraprak, ai merr pjesë në vendin e ngjarjes”, deklaroi tutje Dugolli.


Go to TOP