Dronë ukrainas në këmbim të armëve amerikane, Trump e Zelensky në negociata

Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, po shqyrtojnë një “mega-marrëveshje” që do të përfshinte SHBA-në duke blerë dronë ukrainas të testuar në fushëbetejë, në këmbim që Kievi të blejë një gamë të gjerë armësh amerikane, tha Zelensky në një intervistë për New York Post.

Zelensky deklaroi se bisedimet e fundit me Trump-in janë fokusuar në një marrëveshje që do të ndihmonte të dy vendet të forcojnë teknologjinë ajrore, me Ukrainën që ofron të ndajë përvojën e saj trevjeçare në luftën kundër Rusisë.

“Populli amerikan ka nevojë për këtë teknologji dhe duhet ta ketë në arsenalin e vet,” tha Zelensky, duke iu referuar dronëve ukrainas që kanë arritur të depërtojnë deri në 1,300 kilometra brenda territorit rus.

Zelensky e quajti marrëveshjen “një mega-fitore për të dyja palët”, ndërsa dronët janë bërë pjesë kyçe e luftës moderne në Ukrainë, me sulme të përditshme ajrore mes Moskës dhe Kievit, shkruan New York Post.

Ai tha se Ukraina është e gatshme të ndajë përvojën me SHBA-në dhe partnerët evropianë, duke theksuar se bisedimet janë duke u zhvilluar edhe me Danimarkën, Norvegjinë dhe Gjermaninë.

Zelensky kujtoi sulmin e suksesshëm të muajit të kaluar ku 117 dronë ukrainas goditën bazat ajrore ruse në “Operacioni Rrjeta e Merimangës”, si dhe një tjetër sulm ku një dron ukrainas përshkoi 800 milje për të shkatërruar një fabrikë raketash në Izhevsk.

Në maj, një dron detar ukrainas rrëzoi një avion rus Su-30 mbi Detin e Zi, hera e parë që ndodhte një gjë e tillë.

Sipas ekspertëve dhe zyrtarëve amerikanë, teknologjia e SHBA-së për dronë mbetet prapa krahasuar me Rusinë dhe Kinën. Testimet në Alaskë muajin e kaluar zbuluan probleme serioze me kapacitetin e ushtrisë amerikane për të operuar dhe neutralizuar dronë modernë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka lëshuar një urdhër për të “hequr barrierat burokratike” në prodhimin e dronëve ushtarakë, ndërsa theksoi se SHBA duhet të ndjekë ritmin e prodhimit të shpejtë global të dronëve.

Ai paralajmëroi se, ndryshe nga kundërshtarët që kanë prodhuar miliona dronë të lirë, SHBA ka qenë e mbërthyer në burokraci, por tani kjo po ndryshon.

Në një video promovuese, Hegseth shfaqi dronët e prodhuar nga startup-i amerikan Neros, i cili ka testuar teknologjinë e tij në Ukrainë dhe do të furnizojë 6,000 UAV për Kievin këtë vit.


Go to TOP