Drejtori Topalli pret Belginin pas incidentit racist: Ai nuk është vetëm futbollist, por kampion i shpirtit
Një ngjarje e rëndë që përfshin futbollistin e ri të KF “Fushë Kosova”, Belginin, ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik. I riu nga komuniteti Ashkali u përball së fundmi me ofendime racore dhe sulm fizik nga një prind gjatë një ndeshjeje futbolli – një akt i papranueshëm që ka tronditur jo vetëm ambientin sportiv, por edhe më gjerë.
Në mbështetje të tij ka dalë edhe drejtori për Kulturë, për Rini dhe për Sport në Komunën e Fushë Kosovës, Ali Topalli, i cili e ka pritur Belginin në zyrën e tij për ta përgëzuar për maturinë dhe guximin e treguar në përballje me këtë situatë.
“E falënderova për guximin, për maturinë që tregoi, dhe i premtova se nuk do të jetë vetëm. Institucionet do të jenë pranë tij dhe pranë çdo të riu që lufton padrejtësitë me dinjitet,” ka shkruar drejtori Topalli në një postim në Facebook.
Ai e cilësoi Belginin jo vetëm si futbollist, por si një simbol të durimit, ëndrrës që sfidon çdo paragjykim dhe fuqisë që lind nga refuzimi për t’u dorëzuar.
“Ajo që e bën Belginin të veçantë nuk është vetëm ajo që përjetoi, por mënyra se si reagoi. Në vend të hakmarrjes, ai zgjodhi dinjitetin. Në vend të dorëzimit, ai vazhdoi të stërvitet, të luajë, të ëndërrojë,” theksoi Topalli.
Ky rast ka ngritur edhe një thirrje për reflektim shoqëror. “Çfarë shembulli po u japim fëmijëve tanë kur heshtim përballë racizmit?”, pyet drejtori duke theksuar se sporti duhet të jetë vend bashkimi, jo ndarjeje.
Me mesazhin e tij të fuqishëm, Belgin dëshmon se fitorja më e madhe nuk është ajo në fushë, por ajo që ndodh brenda nesh kur zgjedhim të jemi më të mëdhenj se urrejtja. Për këtë, ai nuk është vetëm futbollist i KF “Fushë Kosova” – por një kampion i shpirtit njerëzor. /Kosova.info/
