Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së përfaqëson Kosovën në Konferencën Rajonale në Bruksel

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës z. Ilir Murtezaj, po merr pjesë në Takimin Vjetor Koordinues (ACM 2025) që po mbahet më 2 dhe 3 korrik, në selinë e Bankës Kombëtare të Belgjikës në Bruksel. 

Konferenca mblodhi përfaqësues e lartë nga administratat tatimore dhe ministritë e financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të fazës së III të Reformave Fiskale në Evropën Juglindore (2023-2026), një nismë e përbashkët e Departamentit të Çështjeve Fiskale të FMN- së (FDA), Komisionit Evropian (DG NEAR) dhe Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO). 

Gjatë konferencës, z. Murtezaj prezantoi përvojën e ATK-së në proceset e modernizimit, digjitalizimit dhe forcimit të kapaciteteve për mbledhjen efektive të të hyrave, si dhe angazhimin e institucionit në përmbushjen e prioriteteve të reformës fiskale. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të koordinimit me partnerët ndërkombëtarë për ndërtimin e një administrate tatimore efikase dhe transparente.

Pjesëmarrja e ATK-së në këtë ngjarje të rëndësishme shënon një hap të mëtejshëm në drejtim të integrimit të praktikave të avancuara ndërkombëtare në sistemin tatimor të Kosovës, duke forcuar pozicionin e saj në platforma rajonale të politikës dhe administrimit fiskal. /Kosova.info/


Go to TOP