Drejtori i Klinikës Torakale: 203 raste me kancer të gjirit sivjet, 17 më shumë se vjet
Gjatë këtij viti, janë regjistruar 203 raste të reja me kancer të gjirit në Kirurgjinë Torakale, një rritje prej 17 rastesh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka njoftuar drejtori i klinikës, Nazmi Kolgeci.
Në një intervistë për EO, Kolgeci theksoi se klinika ka realizuar një numër të madh operacione për kancerin e gjirit, falë pajisjeve dhe metodave moderne që kanë përmirësuar trajtimin. Ai shtoi se rritja e rasteve mbetet shqetësuese, përkundër rënies së popullsisë në vend.
“Numri i rasteve këtë vit është më i lartë krahasuar me vitin e kaluar, çka është alarmante duke qenë se popullsia po zvogëlohet, por numri i rasteve të kancerit të gjirit është në rritje. Deri më tani janë regjistruar 203 raste, nga të cilat 17 raste përfshijnë heqjen e pjesshme të gjirit, 141 janë trajtuar me disekosim aksilar dhe heqje të plotë të gjirit. Po ashtu, kemi realizuar rreth 105 biopsi të gjirit dhe kemi trajtuar 90 raste në sallën kryesore,” tha Kolgeci, duke shtuar se ky fenomen është pjesë e një trende globale.
Sipas tij, rritja e numrit të rasteve me kancer të gjirit po ndodh në gjithë botën dhe mund të lidhet me vetëdijesimin më të lartë të popullsisë dhe me ndryshimet në stilin e jetesës.
“Ndryshimi i stilit të jetesës dhe vetëdijesimi më i madh kanë ndikuar në numrin e rasteve. Në të kaluarën, shumë gra nuk shkonin te mjeku dhe paraqiteshin në faza të avancuara të sëmundjes, kur ndërhyrjet mjekësore ose trajtimet onkologjike ishin më pak efektive,” përfundoi Kolgeci.