Drejtori i ITK-së reagon ndaj sulmeve: Po përballemi me presione të pajustifikuara dhe kërcënime për shkak të detyrës zyrtare
Drejtori i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore (ITK) në kuadër të MKRS-së, Imer Hakaj, ka reaguar me një deklaratë publike pas sulmeve dhe presioneve që, sipas tij, janë bërë ndaj institucionit që ai drejton dhe zyrtarëve të tij, në lidhje me ndërhyrjet në Sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Në deklaratën e tij, Hakaj ka bërë të ditur se ITK-ja ka pranuar lëndën nga Komuna e Prishtinës sipas procedurave ligjore, por se përballen me kallëzime penale ndaj inspektorëve, kërcënime publike dhe sulme të vazhdueshme që rrezikojnë punën institucionale dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Sulmet kanë kaluar çdo normë të sjelljes institucionale. Zyrtarët tanë janë të mandatuar me ligj për të mbrojtur asetet e trashëgimisë, por në vend të bashkëpunimit, po përballemi me frikësime e ofendime nga vetë përfaqësuesit komunalë”, theksoi Hakaj.
Ai akuzoi Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarët komunalë për publikim selektiv të dokumenteve duke shtrembëruar kontekstin dhe duke krijuar perceptime të rreme në publik. Hakaj kërkoi që, nëse synohet transparencë, të publikohet në tërësi dokumentacioni zyrtar, përfshirë vendimet për ndalim punimesh dhe procesverbalet përkatëse.
“Për një udhëheqës me përgatitje profesionale nga jashtë në fushën e urbanizmit, ishte e pritshme që do të respektonte ligjin për trashëgimi kulturore, por veprimet e deritanishme nuk reflektojnë këtë,” tha Hakaj.
Ai konfirmoi se lënda është duke u shqyrtuar nga IKMM dhe QRTK-Prishtinë, me prioritet të lartë, pasi janë kërkuar plotësime në dokumentacion për vlerësim të mëtejshëm.
Duke u drejtuar opinionit publik, Hakaj tha se ITK vepron vetëm sipas ligjit dhe në mënyrë transparente duke mos ndërmarrë kurrë veprime që frikësojnë ose dëmtojnë zyrtarët e institucioneve të tjera.
Në fund të deklaratës, ai apeloi për ndërgjegjësim dhe respekt të ndërsjellë: “Nuk jemi as armik, as pengesë – por garantues të ligjshmërisë në një fushë të ndjeshme për identitetin dhe historinë tonë. Çdo tejkalim, presion apo ofendim duhet të trajtohet institucionalisht dhe ligjërisht.”
Hakaj shtoi se ky reagim është bërë për shkak të kërkesave të vazhdueshme nga mediat, të cilat i falënderoi për profesionalizmin në raportim. /Kosova.info/
