Dorëzimi i vendimit të Apelit me vonesë, të dyshuarve në rastin e patentë shoferëve u humb e drejta për ushtrimin e mjetit juridik
Gjykata Themelore në Pejë për shkak të dorëzimit me vonesë të vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me vërtetimin e vendimit për paraburgim ndaj të dyshuarve në rastin e njohur si “Patentë shoferët”, ua ka humbur të drejtën gjithë të dyshuarve për ushtrimin e mjetit të jashtëzakonshëm për në Gjykatën Supreme.
Fillimisht, Themelorja në Pejë më 24 korrik 2024, me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë ua kishte caktuar paraburgimin prej 30 ditësh të dyshuarve A.Sh., M.I., D.T., R.S dhe L.G, ndërkaq masën e arrestit shtëpiak të dyshuarës T.Sh.
Ndaj këtij vendimi të Themelores, mbrojtësit e të dyshuarve kishin ushtruar të drejtën e ankesës, e për të cilat ankesa Apeli kishte vendosur më 8 gusht 2024, duke e vërtetuar vendimin Themelores mbi caktimin e masave të sigurisë.
Mirëpo, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Pejë sqaron se vendimi i Gjykatës së Apelit u është dorëzuar palëve pas datës 22 gusht 2024, pasi aktvendimi ishte pranuar në zyrën e gjyqtarit të procedurës paraprake më 22 gusht.
“Aktvendimi i Gjykatës së Apelit është pranuar në zyrën e gjyqtarit të procedurës paraprake me datë 22 gusht 2024, ndërsa në sistemin SMIL me datë 08 gusht 2024 dhe lidhur me këtë Kryetari i kësaj gjykate ka kërkuar nga zyrtarët kompetent që të ndërmarrin veprimet e nevojshme të përcaktuara në Rregulloren Nr.03/2024 për Procedurën disiplinore për nëpunësit në administratën e sistemit gjyqësorë meqenëse ky vendim nuk është pranuar me kohë tek gjyqtari i çështjes nga zyrtari/ja e ngarkuar me lëndët për procedurën paraprake”, thuhet në përgjigje e gjykatës.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Pejë, më 16 gusht 2024 kishte bërë kërkesë për vazhdim të paraburgimit ndaj A.Sh, M.I dhe D.T., kurse për T.Sh vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak, si dhe zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak për L.GJ. Këtë kërkesë, Themelorja e kishe aprovuar në tërësi më 20 gusht 2024.
Ndërsa, të dyshuarit R.S., me kërkesë të Prokurorisë i ishte ndërprerë masa e paraburgimit.
Prandaj, del se pasi Gjykata Themelore në Pejë për faktin se vendimin e Apelit e kishte dorëzuar te të dyshuarit pas datës 22 gusht 2024, rezulton se ua ka humbur të gjithë të dyshuarve të drejtën e atakimit të vendimit me mjet të jashtëzakonshëm për në Supreme, sepse edhe po të ushtrohej mjeti i jashtëzakonshëm në kuptimin e gëzimit të të drejtave, pavarësisht vendimit të Supremes nuk do të kishte kurrfarë efekti juridik as praktik.
Krejt kjo pasi që më 20 gusht 2024 ua kishte vazhduar tashmë masat e sigurisë të pandehurve, e që për vendimin e parë të marrë më 24 korrik 2024 të dyshuarve ua kishte humbur të drejtën për ushtrimin e mjetit të jashtëzakonshëm.
Ndryshe, njëri nga mbrojtësit e të dyshuarve në këtë rast, ka thënë se vendimi i Apelit nuk është dorëzuar si i plotë.
Kujtojmë se Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës parasheh ushtrimin e mjetit të jashtëzakonshëm, përkatësisht kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në nenin 434 që flet për mjetet e jashtëzakonshme që mund të ushtrohen ndaj vendimeve të gjykatës së shkallës më të ulët.
Gjithashtu, sipas nenit 419 sqarohet se mjeti i jashtëzakonshëm mund të paraqitet ndaj aktvendimit të formës së prerë në afat prej tre muajsh, por se në rastin konkret për shkak të vazhdimit të masës së sigurisë ndaj të dyshuarve më 20 gusht 2024, palëve u është humbur e drejta për ushtrim të këtij mjeti ndaj vendimit të parë të marrë më 24 korrik 2024.
Krejt kjo pasi që vendimi i Apelit i marrë më 8 gusht 2024 u është dorëzuar të dyshuarve pas datës 22 gusht, duke rezultuar kështu me humbjen e të drejtës për ushtrim të mjetit të jashtëzakonshëm.
Kujtojmë se edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nenin 6 garanton se çdo person ka të drejtë që çështja e tij të procedohet në një kohë të arsyeshme nga gjykata.
“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë…”, thuhet në nenin 6 të Konventës.
Ndryshe, kjo Konventë gjen zbatim në të drejtë tonë përmes nenit 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Dhe se në rastin konkret, humbja e afatit për ushtrim të mjetit të jashtëzakonshëm për të dyshuarit nga Gjykata Themelore në Pejë bie në kundërshtim edhe me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës dhe Konventës, e cila ka zbatim të drejtpërdrejtë në sistemin juridik të Republikës së Kosovës.
Ndryshe më 23 korrik 2024, Policia e Kosovës kishte njoftuar për bastisje në 10 lokacione lidhur me dyshimet për keqpërdorime me patentë shoferë, ku u sekuestruan mbi 7 mijë euro.
