Dita e fundit e bllokadave në Jarinje dhe Bërnjak

Qeveria e Kosovës tash e 12 ditë ka vendosur masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, ku që nga ajo ditë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është vendosur në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Krahas kësaj në këto pika kufitare janë vendosur edhe protestuesit të cilët po e kundërshtojnë këtë masë dhe kanë barrikaduar rrugët që të dërgojnë në këto dy pika kufitare.

Kurse, pas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe barrikadat e vendosura nga protestuesit pritet që të largohen nga këto dy pika kufitare.

Sipas marrëveshjes së publikuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga ora 08:00 e së shtunës (2 tetor) deri në orën 16:00.

Ndërkaq sipas kësaj marrëveshjeje misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinje dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

Go to TOP