Dita e dytë e ‘Hardh Fest’, solli aktivitete të ndryshme
Festa e ‘Hardh Fest-it’, që po mbahet në Rahovec, në ditën e dytë, ka sjellë më shumë aktivitete kulturore e tradicionale për të pranishmit.
Në ditën e dytë të “Hardh Fest” në Rahovec, atmosfera festive është përcjellë me një sërë aktivitetesh e që po tërheqin vizitorë të shumtë nga mbarë vendi dhe më gjerë. Një nga momentet më të rëndësishme të ditës së sotme ishte shtrydhja e rrushit, një ceremoni tradicionale e cila simbolizon fillimin e procesit të prodhimit të verës.
“Aktivitetet e radhës që po presim për pak është edhe shtrydhja e rrushit një prej aktiviteteve më autentike të zonës tonë të festivalit ku secili prej pjesëmarrësve mund të krijoj grupin e tij dhe cili grup është me i shpejt merr njërin prej çmimeve që i kemi aty”, tha Agi Haxhimurati, drejtor i Bordit.
Një rol të veçantë në organizimin dhe realizimin e festivalit kanë edhe vullnetarët, të cilët përkujdesen për udhëzimin e vizitorëve dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.
” Ka pasur shumë të interesuar por i kemi zgjedhe 10 prej tyre që ishin me më shumë vullnet dhe që nuk kishin prites”, theksoi Lahuta Dula, koordinatore e rinisë në Rahovec.
Pas hapjes madhështore të ditës së parë, dita e dytë është përqendruar në ekspozitat e prodhimeve të rrushit dhe verës, si dhe muzikën që shoqëron këtë festë, e mbrëmje në skenën e festivalit performoj grupi legjendar “Gypsy Kings”.