Bjellorusi, çfarë nënkupton falja e 30 të burgosurve politikë nga Presidenti Lukashenko?
Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, njoftoi të mërkurën se do të falë edhe 30 burgosur të tjerë politikë, rasti i tretë i lirimit të të burgosurve politikë në tre muajt e fundit.
Emrat e atyre që do të lirohen nuk janë bërë publik, por e burgosura politike më e njohur, figura opozitare Maria Kalesnikava nuk pritet të jetë mes tyre. Ajo së bashku me dy gratë e tjera, Sviatlana Tsikhanouskaya dhe Veronika Tsepkalo, drejtuan një fushatë të përbashkët për ndryshim kundër zotit Lukashenko në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Pavarësisht kësaj, e motra e zonjës Kalesnikava, Tanya Khomich shpreson se këto raste të faljeve janë një mesazh për botën se zoti Lukashnko mund të jetë i gatshëm që të bjerë dakord për lirimin e të burgosurve të tjerë politikë në këmbim të disa lëshimeve.
Zonja Khomich shpreson gjithashtu që zoti Lukashenko, i cili është në pushtet në Bjellorusi për 30 vjet, mund të jetë duke menduar mbi të ardhmen e tij personale dhe mund të jetë i hapur ndaj thirrjeve të vendeve perëndimore për lirimin e të burgosurve.
“Lukashenko nuk do që të lihet në harresë pasi të jetë kthyer paqja në Ukrainë”, i tha Zërit të Amerikës zonja Komich. “Po ashtu, ai nuk do që territoret bjelloruse të preken nga Rusia”.
Për rastin e zonjës Kalesnikava ka një emergjencë të shtuar sepse ajo dhe të burgosurit politikë më të lartë të Bjellorusisë nuk janë lejuar të kenë komunikim prej më shumë se 600 ditësh. Njerëz pranë tyre thonë se ka një errësirë totale të frikshme mbi gjendjen e tyre.
Zonjës Kalesnikava, bashkëshortit të Sviatlana Tsikhanouskayas, Siarhei Tsikhanouski dhe fituesit të Çmimit Nobel për Paqen, Ales Bialiatski, u është mohuar e drejta për të marrë apo dërguar letra, për të bërë takime me avokatët dhe për të kryer telefonata, sipas përkrahësve dhe të afërmëve të tyre.
Por fjalët nën zë arrijnë t’i kapërcejnë muret e burgut. Zonja Khomich tregon se i është thënë se zonja Kalesnikava, 1.7 metra e gjatë, tani peshon më pak se 45 kilogramë dhe nuk është e sigurt se do të arrijë të dalë e gjallë nga qelia.
“Merreni me mend”, tha zonja Khomich. “Është shekulli i 21-të, ne jemi në qendër të Evropës dhe dikush po vdes nga uria. Maria nuk lejohet të ketë komunikim. Ju lutemi mos e lini të vdesë nga uria”.
Zonja Kalesnikava, e cila u sëmur rëndë në burg nga ulçera ka nevojë për një dietë të veçante e cila nuk po i mundësohet, sipas të motrës.
Franak Viacorka, këshilltar i udhëheqëses së opozitës në mërgim Sviatlana Tsikhanouskaya, shprehu gjithashtu nevojën urgjente për lirimin e të burgosurve politikë.
Ai tha se 30 emrat në listën që do të lirohen kishin pak kohë në burg dhe ishin dënuar për shkelje të vogla, si komentimi apo pëlqimi i postimeve në mediat sociale kundër regjimit. Ndërsa thotë se është i lumtur për këdo që lirohet, ai sugjeroi se faljet nuk janë një tregues se zoti Lukashenko po zbut qëndrimin, por se thjesht po përpiqet të pastrojë figurën e tij.
“Propaganda shtetërore e reklamon si një gjest të madh humanitar nga ana e regjimit”, tha zoti Viacorka. “Është akti i Lukashenkos përpara të ashtuquajturave zgjedhje të vitit të ardhshëm për të treguar se sa human është dhe se kujdeset për njerëzit, sepse edhe mbështetësit e tij nuk janë të lumtur për shtypjet mizore që po ndodhin”.
Zoti Viacorka shprehet gjithashtu se trynsnia diplomatike ndërkombëtare pati ndikim në vendimin e Presidentit Lukashenko për të falur 30 të burgosurit politikë, por se edhe opinioni publik vendas luajti rol. Ai vuri në dukje se të burgosurit që u falën nuk do të jenë plotësisht “të lirë”, por do të lirohen nga burgu dhe do të mbikqyren nëpërmjet shërbimeve sekrete, dhe disa ndoshta nuk do të lejohen që të largohen nga vendi.
“Shumica prej tyre u detyruan t’i shkruanin një letër ku të kërkonin falje nga Lukashenko, si dhe të rrëfenin krime që nuk i kanë bërë kurrë”, tha ai. “Kjo është gjithashtu një formë poshtërimi për njerëzit, por gjithashtu tregon shumë mire se si është Lukashenko. Ai dëshiron që njerëzit të njohin fuqinë e tij. Dëshiron që t’i poshtërojë dhe që ata të pranojnë pushtetin e tij”.
Pavarësisht faljes së të burgosurve, zoti Viacorka thotë se gjendja e të drejtave të njeriut në Bjellorusi është përkeqësuar kohët e fundit. Dënimet me burgim nga disa vjet janë ashpësuar në 10 ose 15 vjet. Të burgosurit politikë detyrohen të mbajnë stema të verdha në mënyrë që të burgosurit e tjerë ta dinë kush janë dhe të mos u flasin në rast të një takimi të rastësishëm.
“Ata duan të godasin emocionalisht”, thotë Tanya Khomich, duke vënë në dukje se motra e saj e burgosur dërgohet sa në një “qeli izolimi” tek një “qeli dënimi”, të cilat sipas saj, janë dhoma të vogla me erë shumë të rëndë. Një ndryshim i madh, thotë zonja Khomich, është se në qelinë e izolimit, Maria Kalesnikavas i lejohet furça e dhëmbëve dhe sapuni, ndërsa në qelinë e ndëshkimit nuk i lejohet asnjë send personal.
Përballë shtypjes së fortë dhe mbikqyrjes së fuqishme nga KGB-ja bjelloruse e komunikimeve elektronike, veprimtaria e opozitës po ndodh larg internetit “off line”, thotë zoti Viacorka.
“Njerëzit takohen në apartamente private dhe shpërndajnë “samizdat” materiale të shtypura në mënyrë të fshehtë. Ka edhe shumë njerëz që ndihmojnë me fushata kibernetike. Bjellorusia ka hakerë të mirë.”
Sipas zotit Viacorka, shumë nga këta “vullnetarë kibernetikë” janë punonjës shtetërorë që ndihmojnë fshehurazi opozitën, e cila u jep vendeve perëndimore informacione se çfarë dhe ndaj kujt në Bjellorusi të vendosin sanksione. Ka gjithashtu grupe që përpiqen të ndihmojnë ukrainasit dhe ta mbajnë Bjellorusinë zyrtarisht jashtë luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Megjithatë, zoti Viacorka thotë se fakti që opozita është në mërgim po i dekurajon njerëzit brenda Bjellorusisë që të angazhohen në ndonjë aktivitet të hapur politik në këtë moment kaosi, në një kohë që vazhdon lufta në Ukrainë.
“Ne nuk duhet t’i sakrifikojmë njerëzit ndërsa nuk kemi qartësi”, thotë ai.
“Lukashenko bën gabime. Ne duam të jemi gati kur të jetë momenti i duhur. Tani për tani, ne jemi në kulmin e terrorit”.
Pavarësisht se regjimi i Lukashenkos u ka mbyllur gojën Maria Kalesnikavas dhe aktivistëve të tjerë të opozitës duke i burgosur, populli bjellorus nuk i ka harruar këta të burgosur, thotë zoti Viacorka.
Duke vënë në dukje rolin e spikatur që luajnë gratë në opozitë, shtoi ai: “E kuptoj se çfarë do të thotë forcë e gruas. Ana mashkullore toksike e Lukashenkos përballë ndjeshmërisë femërore të udhëheqesve tona, kjo është ajo që e bën lëvizjen tonë kaq të qëndrueshme”.