Diskursi shtetëror e mediatik i Serbisë ndaj diasporës shqiptare
Diskursi politik dhe mediatik i Serbisë po e paraqet gjithnjë e më shpesh diasporën shqiptare të Kosovës si faktor destabilizues, e jo vetëm si komunitet migrant apo aktor ekonomik. Analistët ngrenë shqetësimin se ky kornizim, i përsëritur në diplomaci dhe media, po ndikon në mënyrën se si Kosova perceptohet ndërkombëtarisht.
Gjatë viteve të fundit, në diskursin shtetëror dhe mediatik të Serbisë është vërejtur një ndryshim i qartë në mënyrën se si përshkruhet diaspora shqiptare e Kosovës.
Në deklarata zyrtare, media shtetërore të Serbisë, diasporën e lidhin me ndikim në tensionet ndëretnike. Ky kornizim bëhet më i theksuar gjatë muajve të verës dhe festave, kur mërgimtarët kthehen në Kosovë. Në këto periudha, autoritetet serbe shpesh prezantojnë lista të incidenteve ndëretnike në forume ndërkombëtare, duke sugjeruar rritje të tensioneve.
Politologu Dorajet Imeri thotë se përveç tjerash, Serbia e ka kornizuar edhe diasporën e Kosovës si faktor destabilizues. Sipas tij, kjo ndikon negativisht në perceptimin ndërkombëtar.
“Së pari ai krijon një narrativë që e paraqet shtetin e Kosovës si një të pa aftë për të kontrolluar dhe kanalizuar aktorët që lidhen me të, e dobëson imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Ndërkaq së dyti ky diskurs shpesh përdoret për të ndërtuar një narrativë përparëse në mes të votueseve rezident dhe atyre të diasporës ndërkaq së treti e asocon një grup të veçantë të votuesve si pjesë të pakontrollueshme nga shteti dhe që ndikon drejt për së drejti në zhvillimet politike në vend si një faktor i jashtëm amorf”, thotë Dorajet Imeri politolog.
Ndërkaq analisti Arben Dashevci thotë se Serbia ka bërë dhe vazhdon luftën e saj hibride ndaj çdo suksesi të Republikës sonë.
“Çdo individ pa marrë parasysh se çfarë vepre penale kryen është përgjegjës për veprën e tij. Në Republikën e Kosovës nuk ka ndonjë problem etnik ose qasje negative etnike në aspektin e sigurisë së brendshme. Kjo dihet mirëfilli, Republika e Kosovës edhe moniotorohet nga reaguesi i dytë që është Bashkimi Evropian, monitorohet edhe nga reaguesi i tretë që është NATO me misionin e saj në Kosovë”, thotë Arben Dashevci analist politik.
Theksi vihet te nevoja për analizë të bazuar në fakte, dallim mes përgjegjësisë individuale dhe kolektive, dhe një qasje që shmang narrativat që ndikojnë në perceptimin ndërkombëtar të legjitimitetit të Kosovës.
