DioGuardi dhuron bibliotekën personale për Bibliotekën Presidenciale “Ibrahim Rugova” – një akt i përjetshëm mirënjohjeje dhe përkushtimi
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar me krenari dhe mirënjohje se ish-kongresisti dhe miku i madh i shqiptarëve, Joe DioGuardi, ka dhuruar bibliotekën e tij personale për Bibliotekën Presidenciale “Ibrahim Rugova”.
Ky gjest i jashtëzakonshëm është një dëshmi e re e përkushtimit të palëkundur të DioGuardit ndaj çështjes shqiptare dhe mbështetjes së vazhdueshme për popullin shqiptar. Përparim Rama e ka cilësuar këtë dhuratë si një akt që shkon përtej kufijve dhe kohës – një trashëgimi që do të mbetet përgjithmonë në zemrat dhe kujtesën e kombit shqiptar.
“Me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje, shpreh falënderimet më të sinqerta ndaj Joe DioGuardi për gatishmërinë e tij për të dhuruar bibliotekën e tij personale për Bibliotekën Presidenciale ‘Ibrahim Rugova’. Ai edhe njëherë dëshmoi se dashuria për shqiptarët nuk është një periudhë kalimtare, por një angazhim i përhershëm,” theksoi Rama.
Biblioteka e Joe DioGuardit, e pasur me literaturë politike, historike dhe dokumente të rralla, do të pasurojë fondin e Bibliotekës Presidenciale dhe do t’u shërbejë brezave të ardhshëm si një burim i çmuar njohurish.
Ky akt vjen si vazhdimësi e kontributit jetësor të DioGuardit për lirinë, pavarësinë dhe afirmimin ndërkombëtar të shqiptarëve – një trashëgimi që do të mbetet përherë në memorien tonë kolektive.
Përjetësisht mirënjohës! /Kosova.info/
