Dimiç dënon deklaratën e ministres serbe: Thirrje me frymë gjenocidiale dhe kërcënim për rajonin

Politikani serb me prejardhje nga Kosova dhe kryetari i Lëvizjes “Kosova Multietnike”, Radomir Dimiç, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.

Dimiç e cilësoi deklaratën si të papranueshme dhe tha se ajo dëshmon vazhdimësinë e ideologjive nacionaliste në politikën zyrtare serbe.

“E konsideroj të neveritshme dhe e dënoj ashpër deklaratën nacionaliste, gjenocidiale dhe neonaziste të ish-deputetes së SPS-së, tani ministre në Qeverinë e Serbisë, e cila deklaroi se po të ishte në vendin e Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë, do të kryente spastrim të plotë etnik të shqiptarëve të Kosovës. Kjo e vërteton më së miri se sa e rrezikshme është ideologjia e ashtuquajtur ‘Bota Serbe’ dhe sa e domosdoshme është që ajo të kundërshtohet nga bota demokratike, veçanërisht nga diplomacia evropiane”, deklaroi Dimiç.

Ai shtoi se deklarata të tilla përbëjnë nxitje të urrejtjes dhe cenojnë përpjekjet për paqe dhe stabilitet në rajon duke bërë thirrje për reagim të bashkësisë ndërkombëtare ndaj retorikës që, sipas tij, promovon politika të ngjashme me ato të së kaluarës. /Kosova.info/


Go to TOP