Dibrani: ShKK i përkushtuar në zgjerimin e programeve rehabilituese
Në Shërbimin Korrektues të Kosovës janë certifikuar 63 të burgosur të Qendra Korrektuese e Dubravës, të cilët kanë përfunduar me sukses programe të ndryshme rehabilituese dhe zhvillimore.
Sipas njoftimit, për herë të parë është arritur një nivel kaq i lartë pjesëmarrjeje në këto programe, çka vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të proceseve të rehabilitimit dhe riintegrimit të të dënuarve në shoqëri.
Me këtë rast, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka theksuar rëndësinë e programeve rehabilituese në zhvillimin personal të të burgosurve dhe përgatitjen e tyre për një jetë të qëndrueshme pas vuajtjes së dënimit.
Ai ka vlerësuar përkushtimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës në avancimin dhe zgjerimin e programeve që ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit.
Certifikimi është realizuar në tri programe kryesore: Programi i Përgjithshëm për Zhvillim Personal dhe Aftësi për Jetë me 14 pjesëmarrës, Programi i Menaxhimit të Zemërimit me 36 pjesëmarrës dhe Programi i Vendimmarrjes Sociale me 13 pjesëmarrës. /Kosova.info/
