Diaspora “Vota e artë” për zgjedhje

Vota e diasporës është kthyer në një element kyç për partitë politike në Kosovë, me zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit që po afrojnë. Raportohet se Qeveria Kurti synon të ndërhyjë në organizimin e votimit të diasporës, duke ia kaluar këtë detyrë Ministrisë së Punëve të Jashtme, në vend të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), institucionit kushtetues përgjegjës për procesin zgjedhor.

Florian Dushi, ish-anëtar i KQZ-së, e ka quajtur këtë përpjekje të qeverisë si ndërhyrje të hapur në kompetencat kushtetuese të KQZ-së. “Është hera e parë që një qeveri tenton të marrë kompetencat kushtetuese dhe ligjore të KQZ-së. Kjo qasje është përpjekje për të ‘gllabëruar’ kompetencat e një institucioni të pavarur,” deklaroi Dushi.

Instituti i Kosovës për Drejtësi gjithashtu e konsideron ndërhyrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme si të kundërligjshme. Sipas drejtorit të IKD-së, Ehat Miftaraj, një veprim i tillë mund të çojë në pavlefshmëri të votave të diasporës. “KQZ duhet të mbrojë pavarësinë e saj. Çdo ndërhyrje nënkupton një proces zgjedhor të kontaminuar dhe mund të rezultojë në shpalljen e votave të pavlefshme nga Gjykata Supreme,” tha Miftaraj.

Analisti politik Arton Demhasaj e përshkruan këtë veprim si tentativë për manipulim politik përmes votës së diasporës. Sipas tij, qëllimi i Ministrisë është krijimi i hapësirave për ndërhyrje politike në favor të partisë në pushtet.

Kushtetuta e Kosovës në nenin 139 dhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme e përcaktojnë KQZ-në si organin e vetëm përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve. Ndërkaq, më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga ambasadorët dhe konsullatat të sigurojnë hapësira të reja për votimin e diasporës, një tjetër veprim që është kritikuar për përputhje të dobët me ligjin zgjedhor.

Go to TOP