Kurti thotë se qytetarët kosovarë s’do të kenë nevojë të udhëtojnë jashtë shtetit për t’u shëruar

Rreth 4. 3 milionë euro është vlera e ndërtimit të Klinikave të Nefrologjisë dhe Hemato-onkologjisë, punimet e të cilit objekt i ka vizituar nga afër kryeministri i vendit Albin Kurti bashkë me vartësin e tij Arben Vitia e deputet të Kuvendit të Kosovës.

Kreu qeveritar e quajti projekt tejet i rëndësishëm, meqë tha se qytetarët nuk kanë nevojë më të mendojnë për shërim jashtë vendit, por pas ndërtimit të këtij objekti shërimin do ta bëjnë në Kosovë.

Tha se ndonëse ndërtimi i klinikave ishte paraparë të zgjaste për tri vite, finalizimi i tyre do të bëhet për dy vite.

“Ky projekt e ka vlerën totale prej afër 4.3 milion euro e do të ofrojë shërbime me standardet më të larta shëndetësore për trajtimin e pacientëve me këto dy sëmundje të cilët tash do të fillojnë të trajtohen edhe në Republikën tonë e jo qytetarët në vend se të shkojnë në spital për shërim të mendojnë se me cilën avio- kompani do të udhëtojnë jashtë vendit qysh ka ndodhur në këto më shumë se dy dekada. Pra do të kenë qasje në dy shërbime të reja, të cilat aktualisht nuk janë të disponueshme në vendin tonë”, tha kryeministri.

Ai këtë e quajti si kapërcimin më të rëndësishëm që po bëhen në investimet në shëndetësi.

“Siç morëm vesh nga menaxherja e projektit, ndërtesa do t’i ketë tri nivele me sipërfaqe të përgjithshme prej 3760 metra katror. Kohëzgjatja e implementimit 36 muaj e na u tha që kjo do të shkurtohet e synimi është që të përmbyllet për 24 muaj”, tregoi ai.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia tha se renovimet e transformimet e klinikave që po bëhen janë sipas standardeve më të larta bashkëkohore që sot ka mjekësia.

“Jemi të informuar dhe secili nga ne kemi pasur një punë në QKUK, shumica e objekteve janë të ndërtuara në 4, 5 apo 6 dekada më parë dhe nuk kanë plotësuar as për së afërmi kushtet bazike për një shërbim cilësor e bashkëkohor qysh e meritojnë qytetarët e Republikës. Kjo është e mira që çdo investim që po bëhet sot, po bëhen me të gjitha kushtet duke përfshirë këtu edhe komponentin e digjitalizimit”, tregoi ministri.

Go to TOP