Diaspora, nevoja për ndikim dhe vota “për inat”

Shkruan: Blerim CANAJ

Pas një telefonate të gjatë me një biznesmen të suksesshëm shqiptar në Gjermani, vërehej edhe pakënaqësia e tij me qëndrimin e shumicës së diasporës në raport me zhvillimet politike në Kosovë. Kur ai foli për nevojën e ndikimit nga ana e tyre dhe inferioritetin e shkaktuar atje, më ranë në mend autorët, veprat e të cilëve i kisha njohur që nga koha e studimeve në Graz, Salzburg e Vjenë dhe që e kishin trajtuar pikërisht këtë temë.

Kur vërehet arroganca dhe polarizimi që ndërton ndonjë parti, të bën të pyesësh se a po voton një pjesë e diasporës për të ndikuar realisht në përmirësimin e Kosovës, apo për të dëshmuar se ende ka fuqi mbi fatin politik të vendit?

Natyrisht, kjo nuk është akuzë ndaj diasporës. Përkundrazi, diaspora shqiptare ka dhënë shumë për Kosovën: para, mbështetje politike, lobim ndërkombëtar dhe sakrificë familjare. E pikërisht për këtë arsye duhet folur hapur edhe për anën tjetër të fenomenit e që duket të jetë dëshira për ndikim pa e bartur drejtpërdrejt koston e vendimeve politike.

Banori rezident në Kosovë i përjeton çdo ditë pasojat e qeverisjes: çmimet, pagat, shëndetësinë, arsimin, administratën, energjinë, drejtësinë. Ai nuk e sheh politikën si simbol, por si përditshmëri. Për të, vota nuk është vetëm identitet por para se gjithash është faturë mujore, pritje në spital, dokument në komunë, vend pune, siguri për fëmijët. Në anën tjetër një pjesë e diasporës Kosovën e përjeton më shumë emocionalisht, pra o si kujtesë, si identitet, si mall, si histori familjare. Kjo është e kuptueshme, por kur politika shihet nga larg, shpesh rrezikon të idealizohet. Madje, ajo mund të shndërrohet në arenë simbolike ku vota nuk jepet domosdoshmërisht për program, por për inat, për hakmarrje, për ta ndëshkuar dikë, ose për ta dëshmuar një përkatësi.

E pikërisht këtu mu kujtua psikoanalisti dhe themeluesi i psikologjisë individuale Alfred Adler, i cili në veprën Menschenkenntnis, qysh në vitin 1927 e shpjegon mirë këtë dimension. Sipas tij, njeriu shpesh kërkon afirmim dhe ndikim si mënyrë për të kompensuar ndjenjat e inferioritetit ose mungesës së  fuqisë. Në këtë kuptim, kur një komunitet ndjehet i larguar, i nënvlerësuar ose i pa dëgjuar, ai mund ta kthejë ndikimin politik në mënyrë për ta dëshmuar veten. Madje edhe Friedrich Nietzsche, me idenë e tij të “vullnetit për fuqi”, e sheh njeriun si qenie që nuk kërkon vetëm rehati, por edhe forcë, afirmim dhe peshë në botë. E në kontekstin politik, kjo mund të përkthehet në dëshirën për të pasur zë, për të mos u harruar, për të qenë faktor.

Krejt problemi fillon kur kjo nevojë për ndikim shkëputet nga përgjegjësia për pasojat sepse ndikimi pa përgjegjësi krijon zemërim te ata që jetojnë me rezultatet e atij ndikimi. Këtu krijohet përshtypja se “po votohet për inat”. Jo sepse çdo votë e diasporës është votë inati, por sepse një pjesë e saj perceptohet si votë kundër dikujt, e jo votë për diçka. Si votë për ta mundur një palë, jo për ta ndërtuar një shtet. Si votë që buron më shumë nga frustrimi, polarizimi dhe nevoja për afirmim sesa nga përballja konkrete me realitetin e Kosovës. E është krijuar përshtypja sikur pikërisht kur qytetari në Kosovë kishte filluar t’i marrë këmbët, të ndërtonte mirëqenie, të hapte biznese, të krijonte vende pune dhe të besonte në një normalitet të ri, polarizimi politik e goditi këtë proces. Një parti e shfrytëzoi diasporën jo si urë zhvillimi, por si instrument emocional kundër kundërshtarëve të vet. Diasporës iu ushqye ideja se Kosova nuk ishte duke u ndërtuar por se ajo ishte e kapur, e shkatërruar dhe pa shpresë. Kjo prodhoi inat dhe kur inati hyn në politikë, vota nuk është më zgjedhje për program, por reagim kundër dikujt. Kështu, një pjesë e diasporës e pa votën si mjet ndëshkimi, ndërsa qytetari rezident e përjeton si padrejtësi sepse dikush nga larg po vendoste mbi jetën e tij të përditshme, pa e bartur të njëjtën kosto

René Girard, me teorinë e “dëshirës mimetike”, do ta shpjegonte këtë si garë simbolike për status, ndikim dhe përkatësi. Në një shoqëri të polarizuar, njerëzit nuk votojnë vetëm për programe por votojnë edhe për identitete, për taborë, për krenari të lënduar. E pikërisht këtë po e forcon një parti, pra, ndarjen në „ne dhe ata“, polarizimin, kultin e babait sikur që ndodhte në nacionalsocializëm Prandaj debati për votën e diasporës nuk duhet parë vetëm si çështje ligjore sepse ligjërisht, shtetasit kanë të drejtë vote por politikisht dhe moralisht, pyetja mbetet se a duhet ndikimi të jetë i njëjtë kur barra e pasojave nuk është e njëjtë?

Kosova nuk ka nevojë për ndarje mes diasporës dhe banorëve rezident në Kosovë por ka nevojë për një bisedë më të sinqertë. Diaspora duhet të shihet si pasuri kombëtare, jo si armik politik. Por edhe diaspora duhet ta kuptojë se vota nga larg nuk është vetëm akt emocional por është vendim që prek jetën e përditshme të atyre që jetojnë këtu. Prandaj, problemi nuk është pjesëmarrja e diasporës por problemi bëhet kur vota shndërrohet në instrument inati, kompensimi ose dominimi simbolik. Sepse demokracia nuk duhet të jetë garë se kush ka më shumë nevojë të ndihet i rëndësishëm por duhet të jetë përgjegjësi për jetën konkrete të qytetarëve.

Një gjë është e qartë: NGADALË POR SIGURT, shteti po shkon drejt kapjes së tërësishme!


Go to TOP