Dhjeta të vdekur pas rrëzimit të një avioni në Kazakistan
Një avion pasagjerësh që po udhëtonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, për në Rusi është rrëzuar afër qytetit Aktau në Kazakistan me 67 persona në bord, bënë të ditur autoritetet e Kazakistanit më 25 dhjetor.
Zyrtarët thanë se dhjeta persona kanë vdekur dhe më shumë se sipas informacioneve të para, më shumë se 30 i kanë mbijetuar rrëzimit të fluturakes.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Azerbajxhanit tha për mediat se të paktën 32 persona kanë shpëtuar dhe janë duke marrë trajtim mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë e Kazakistanit tha se 27 persona, përfshirë dy fëmijë, janë dërguar në një spital rajonal. Kjo ministri tha se 11 persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ministria e Emergjencave tha përmes një njoftimi se ekipet e shpëtimit janë në vendin ku u rrëzua avioni dhe zjarrfikësit kanë shuar zjarrin.
Videot nga vendi i ngjarjes shfaqën avionin e rrëzuar përmbys dhe një pjesë e fluturakes të ndarë nga krahët dhe pjesa tjetër e avionit.
Azerbaijan Airlines tha se avioni Embraer 190 po fluturonte nga Bakuja për në Grozni, kryeqytetin e Çeçenisë, por u detyrua të bëjë ulje të detyruar rreth 3 kilometra larg nga Aktau.
Ende nuk dihet shkaku i rrëzimit të avionit dhe policia në Kazakistan ka nisur hetimet.
Një zëdhënës i Agjencisë Federale të Transportit Ajror të Rusisë tha se sipas informacioneve të para, piloti vendosi të ndryshonte rrugën për në Aktau pasi një zog goditi avioni që çoi në “një situatë emergjente në bord”.
Mediat më herët raportuan se avioni ndryshoi rrugëtimin e tij për shkak të mjegullës në Grozni.
Sipas agjencive lokale të lajmeve, pasagjerët ishin shtetas të Azerbajxhanit, Kazakistanit, Kirgizisë dhe Rusisë.
