Dështon seanca e Kuvendit të Kryeqytetit, nuk erdhi LDK-ja e as kryetari Rama me kabinet
Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet seanca e nëntë e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Në seancën e rregullt të thirrur nga ekzekutivi, munguan kryetari, nënkryetarët, drejtorët si dhe asamblistë nga partitë LDK, PDK dhe AAK.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal Fehmi Kupina para nisjes së seancës bëri të ditur se nuk ka kuorum të mjaftueshëm për të vazhduar tutje.
“Nga Shërbimi i Kuvendit më njoftojnë se gjithsej 17 anëtarë janë prezentë, kështu që nuk ka numër të mjaftueshëm për të vazhduar këtë seancë”.
KALLXO.com ka mësuar se para disa ditësh në Komitetin për Politikë dhe Financa kishte shkuar një rend dite i cili përfshinte edhe propozim-vendimin për vënien në diskutim publik të Planit Zhvillimor Komunal 2024-2032″ dhe “Propozim Vendimin për miratimin e buxhetit të Komunës për vitin 2025”. Dy pika këto të rëndësishme për kryeqytetin, por që pastaj janë hequr nga rendi i ditës nga mbledhja e KPF-së.
Për këto dy pika nuk ishin pajtuar partitë opozitare të cilët kanë përfaqësuesit e tyre në Komitet dhe si rrjedhojë në rendin e ditës së shpërndarë më 31.10.2024, nga 11 pika mbeten vetëm 4.
Shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, deklaroi për KALLXO.com se seanca e sotme e thirrur nga ekzekutivi e që e njëjta u bojkotua nga ta, tregon se Rama nuk i ka numrat e mjaftueshëm për Planin Zhvillimor Komunal.
“Mendoj që këto janë pasojë e problemeve të brendshme që i kanë partitë që udhëheqin me Prishtinë, pasojë e mos realizmit të shumë gjërave që janë evidente dhe qytetarët e Prishtinës po përballen, kjo e shpërfaqë këtë mendësi të kësaj qeverisje. Z. Ramën e kemi parë duke deklaru se i ka numrat për PZhK-në, nëse i ka numrat, ai mundet me e fut në rend të ditës në fillim të seancës është e dukshme që z. Rama dhe LDK-ja nuk i kanë numrat për Planin Zhvillimor Komunal, natyrisht ne nuk mundemi me votu një PZHK të tillë që i bën dëm qytetit të Prishtinës, mirëpo në politikë nuk punohet me hakmarrje” – ka thënë Sveçla.
As Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në seancën e thirrur për sot. Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së, deklaroi për KALLXO.com se seanca e thirrur nga kryetari “më shumë kishte pasur pika për dëshirën e tij sesa që kishte pas pika për zgjidhjen e problemeve dhe nevojave që realisht kanë qytetarët e kryeqytetit”.
“Nëse i merrni me i analizu pikat, kanë të bëjnë kryesisht me plane të ndërtesave e këmbime të tokave aty këtu të cilat janë një vazhdimësi dhe dëshirë e posaqme e kryetarit, por nuk janë duke u traju tema shumë të rëndësishme që është problemi me ujin e pijshëm, tollovi, në trafik, mbeturinat, qentë endcanak e fatkeqësisht sot komuna nuk e ka as buxhetin të votuar pikërisht për shkak të qasjes së kryetarit që e ka sjellë me shkelje ligjore, me vonesa dhe nuk po pranon të hap projektbuxhetin para qytetarëve” – tha Retkoceri.
“Kjo seancë që vetë e ka thirr, e vetë ka dështuar për shkak të qëllimit të tij mbi PZHK-në, pazaret me të, planet rregulluese” – shtoi ai.
KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga shefja e asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jeta Rafuna, por e njëjta deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.
Pika për miratim të buxhetit të komunës për 2025 ka dështuar të nxirret në votim dy herë në mungesë të kuorumit.
Më 04.07.2024, dy partitë opozitare në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin lëshuar seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në të cilën në rend të ditës ishte votimi i Plani Zhvillimor Komunal [2023-2031].