Dështoi edhe një tentim tjetër për ligjin për mbrojtësit maqedonas

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dështoi sot edhe një tentim tjetër i opozitës maqedonase për ta vendosur në rend dite propozim ligjin për mbrojtësit maqedonas.

“Kam propozim për plotësim të rendit të ditës, edhe atë si pikë e parë e rendit të ditës të shtohet propozim ligji për të drejtat e posaçme të pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Maqedonisë së Veriut me procedurë të shkurtuar”, ka thënë Jovanka Trençevska nga LSDM.

Kjo kërkesë u refuzua që të futet në rend dite nga deputetja Imërlie Saliu, e cila ishte caktuar nga Kryetari i Kuvendit për të kryesuar seancën e sotme të komisionit.

“Unë do të kisha dashur që ju si LSDM të hiqni dorë nga tendenca juaj për të futur propozim ligjin për branitella në rend dite, sepse ashtu siç e keni parë gjatë gjithë kohës, nuk jeni konsistent në qëndrimet e juaja”, ka thënë  Imerlije Saliu Deputete e VLEN-it.

Nga koalicioni Froti Evropian thamë se çështja e propozim ligjit për mbrojtësit maqedonas ka përfunduar në kohën kur komisionin e udhëhiqte deputetja Ilire Dauti.

“Gjithçka ka përfunduar në kohën kur komisionin e udhëhiqte zonja Ilire Dauti dhe e gjithë kjo që po e shohim tani është një teatër i panevojshëm”, ka thënë Elmi Aziri nga Fronti Evropian.

Problemi me komisionin për politikë sociale u shfaq  në nëntor të vitit të kaluar, kur deputetja Ilire Dauti refuzonte ta vendosë në rend dite propozim ligjin e mbrojtësve maqedonas, nëse nuk rregullohet edhe statusi i ish luftëtarëve të UÇK-së. /Kosova.info/


Go to TOP