Dervishi për përplasjet në PD: Do të ketë fatin e LDK-së

Gazetari i njohur nga Tirana, Lutfi Dervishi, nuk e sheh fundin e asaj që po ndodh në Partinë Demokratike.

Ai në një bisedë në emisionin në KTV, tha se “këto janë vetëm faqet e para të një romani të trishtë”.

“Në një plan afatshkurtër, PD-ja pritet të ketë fatin e LDK-së në kohën kur u nda më 2006, por në planin afatgjatë mbetët të shihet”, tha Dervishi.

Pas ndarjes, LDK-ja kishte pësuar rënie të madhe në zgjedhjet e radhës.

Dervishi foli për luftën që po bëhet brenda PD-së mes Lulëzim Bashës e Sali Berishës.

Basha ka përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar, pasi u fut në listën e zezë nga SHBA-ja për shkak të korrupsionit, ndërkohë që Berisha thirri një Kuvend dhe e shkarkoi Bashën nga posti i kryetarit të partisë. Basha dhe përkrahësit e tij nuk njohin Kuvendin e Berishës dhe e mbajtën një “të tyre” më 18 dhjetor, ku përjashtuan edhe figura të tjera, të afërta me Berishën.

“E gjithë kjo luftë ka një kosto për PD-në”, tha Dervishi.

Berisha po ashtu po ndjek proces gjyqësor në Paris kundër Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, përmes të cilit synon të bind opinionin se SHBA-ja nuk ka prova për atë që e akuzon – korrupsion.

Go to TOP