Dëmtime të urave e infrastrukturës pas vërshimeve të sotme në Lipjan

Komuna e Lipjanit njofton se si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja me vërshime është rënduar në territorin e kësaj komune.

Sipas njoftimit, aktualisht, vërshime janë evidentuar në shumicën e fshatrave, ndërsa gjendja më e rënduar paraqitet në këto lokalitete: Rubovc, Konjuh, Qylagë, Banullë, Akllap, Smallushë, Hallaq i Vogël, Rufc dhe Gadime.

Si pasojë e reshjeve, janë dëmtuar dy ura, njëra në Smallushë dhe tjetra në Gadime të Epërme, po ashtu dëmtime në infrastrukturën publike dhe ekonomitë familjare.

Komuna e Lipjanit bënë të ditur se ka themeluar Shtabin Emergjent, i cili është aktiv dhe në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet relevante.

“Ekipet janë në terren, duke menaxhuar situatën dhe duke ofruar ndihmë sipas mundësive dhe nevojave të paraqitura. Po ashtu, jemi në koordinim të plotë me Stacionin Policor në Lipjan dhe Njësinë e Zjarrfikësve të Lipjanit, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe menaxhimit sa më efikas të situatës emergjente”, thuhet në njoftim.

Komuna e Lipjanit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, dhe i fton ata të tregojnë kujdes të shtuar deri në stabilizimin e plotë të situatës. /Kosova.info/


Go to TOP