Dëmtim vandal në trafon elektrike në rrugën “Agim Ramadani”, ndriçimi publik rikthehet pas ndërhyrjes së shpejtë
Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka njoftuar se persona të pandërgjegjshëm kanë ndërhyrë dhe dëmtuar trafon elektrike në rrugën “Agim Ramadani”, me qëllim që të ndalin ndriçimin publik në këtë zonë.
Në njoftim thuhet se ky është një akt vandal dhe i papranueshëm, që dëmton pasurinë publike dhe cenon sigurinë e qytetarëve.
“Ky veprim përbën shkelje serioze ligjore dhe do të hetohet nga organet kompetente. Dënojmë ashpër çdo formë të tillë dëmtimi të qëllimshëm të infrastrukturës publike,” thuhet në reagimin zyrtar.
Falë reagimit të shpejtë të ekipeve teknike, dëmtimi është riparuar menjëherë, ndërsa ndriçimi publik në rrugën “Agim Ramadani” është rikthyer plotësisht.
Drejtoria ka bërë thirrje që qytetarët të bashkëpunojnë me institucionet për të ruajtur pasurinë publike dhe të raportojnë çdo rast të ngjashëm. /Kosova.info/
