Demaj i reagon Milazim Krasniqit: Shqiptarët nuk ndahen sipas besimit, por bashkohen rreth kombit

Shkrimi i fundit i Milazim Krasniqit përbën një qasje thellësisht të gabuar dhe të rrezikshme ndaj realitetit politik dhe shoqëror në Kosovë. Në vend se të flasë për qytetarë, votues dhe interesa shtetërore, ai zgjedh t’u drejtohet “besimtarëve muslimanë” si kategori politike, duke futur fenë në një debat që duhet të jetë ekskluzivisht qytetar dhe kombëtar.

Kjo qasje nuk është as analizë e mirëfilltë politike dhe as debat intelektual. Është një përpjekje për të ndarë shoqërinë shqiptare mbi baza fetare, duke cenuar një nga shtyllat kryesore të identitetit tonë kombëtar: faktin se shqiptarët historikisht kanë vendosur kombin dhe shtetin mbi çdo përkatësi fetare.

Për më tepër, shkrimi i Krasniqit është fyese ndaj vetë besimtarëve muslimanë, të cilët portretizohen si politikisht të painformuar, të manipulueshëm dhe pa mendim kritik. Një qasje e tillë është jo vetëm e padrejtë, por edhe përçmuese ndaj qytetarëve që kanë dinjitet, ndërgjegje dhe të drejtë vote të lirë. Përpjekja për ta paraqitur mbështetjen politike si fenomen “islamist” apo “antiperëndimor” është një konstrukt artificial që nuk qëndron në realitetin kosovar.

Kjo gjuhë vetëm sa nxit përçarje, tension dhe mosbesim mes qytetarëve, duke e larguar vëmendjen nga problemet reale me të cilat përballet vendi. Kosova është ndërtuar mbi vlera kombëtare, mbi bashkëjetesë fetare dhe mbi parimin e barazisë qytetare.

Çdo tentativë për ta futur fenë në konflikt politik është një hap prapa dhe një rrezik serioz për kohezionin shoqëror dhe të ardhmen e shtetit. Milazim Krasniqi, përmes shkrimeve të tilla ndër vite, ka kontribuar në thellimin e ndarjeve ideologjike dhe fetare, duke relativizuar identitetin kombëtar dhe interesin e përbashkët shtetëror. Kjo qasje nuk i shërben debatit publik dhe as zhvillimit demokratik të vendit.

Shqiptarët nuk janë kategori fetare në politikë. Ata janë qytetarë të barabartë, me histori të përbashkët dhe përgjegjësi të përbashkët ndaj shtetit dhe kombit. Politika duhet të ndërtohet mbi interesin kombëtar, shtetin ligjor, drejtësinë dhe barazinë qytetare, jo mbi ndarje fetare dhe etiketime përçarëse. Kombi, historia dhe vlerat kombëtare janë dhe duhet të mbesin mbi çdo dallim tjetër.


Go to TOP